Stoltenberg në Prishtinë: Dialogu, rruga e vetme

03/02/2017 00:00

Stabiliteti i Ballkanit perëndimor është i rëndësishëm për NATO-n. Ka qenë ky mesazhi që sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg ka dhënë gjatë vizitës së tij në Prishtinë.

Në këtë drejtim, “KFOR ka ndihmuar për transformimin e Kosovës në një vend më të sigurtë”, ka thënë Stoltenberg, i cili ka nxitur vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd.

“Dialogu Prishtinë-Beograd është shtegu më i mirë për të ardhmen e Kosovës dhe rajonit. Jam informuar nga BE se dialogu ka progres, por ka ende sfida”, ka vijuar Stoltenberg.

Më tej, ai ka nënvizuar se NATO do të vazhdojë të mbështesë transformimin e FSK-së, e cila në vlerësimin e tij është një shembull për ngritjen e kapaciteteve të saj.

I pyetur nëse e sheh të mundshëm një skenar si ai i Krimesë për veriun e Kosovës, sekretari i përgjithshëm i Aleancës është shprehur se nuk do të dëshironte të spekullonte. “Është mirë që gjërat të zgjidhen me qetësi”, ka thënë ai.

Në të njëjtat linja, kryeministri Isa Mustafa, në konferencën e përbashkët për shtyp ka deklaruar se problemet me fqinjët do të zgjidhen në mënyrë paqësore.

“Sa i përket çështjes së murit do ketë kontakte mes Ministrisë së Mjedisit dhe Komunës së Mitrovicës, në mënyrë që çështja të zgjidhet në bazë të dispozitave ligjore”, ka thënë Mustafa. Ai është shprehur optimist për mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve.

“Nuk ka asnjë problem për sigurinë e qytetarëve serbë në veri, sepse ne do të respektojmë ligjin dhe strukturat ligjore”, ka vijuar Mustafa.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave, ai ka shtuar se, nuk ka informacion për cënim të kufijve territorialë të Kosovës, ndërsa lidhur me trenin serb ka theksuar:

“Treni për në Kosovë është nisur nga Beogradi dhe jo nga Moska. Është nisur me bekimin e zyrtarëve të Beogradit. Është një tren që i është dhuruar Serbisë dhe nuk kemi pasur një distancim të Rusisë nga kjo ngjarje që ka shqetësuar qytetarët tanë dhe ata serbë për sigurinë. Ne nuk do të dëshironim marrëdhënie të këqija as me Rusinë e as me Serbinë dhe nuk do të donim që dhuratat që i jepen Serbisë të përdoren për nxitjen e tensioneve në Kosovë”, ka shtuar Mustafa.

Ndërkohë, sekretari Stoltenberg është pritur në një takim edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Top Channel