Finalja e Superbowl, ku një spot kushton 5 mln dollarë

03/02/2017 00:00

Finalja e Super Bowl në NBA është eventi më i ndjekur dhe ajo e këtij viti nuk bën përjashtim. Tashmë përgatitjet për sfidën mes New England dhe Atlantës janë drejt përfundimit, ndërkohë që marketingu po ecën me një shpejtësi marramendëse dhe kjo falë nivelit të lartë të shikueshmërisë që arrin kjo finale.

Super Bowl i vitit të kaluar u ndoq nga 111.9 milionë shikues, një fakt ky që ndikoi tek kompanitë e prodhimit të spoteve për këtë ngjarje të madhe sportive. Mësohet se një spot publicitar prej 30 sekondash për finalen e Super Bowl do të kapë vlerën e 5 milionë Dollarëve, një shifër kjo që duket se nuk i shqetëson shumë kompanitë e interesuara për të reklamuar në sfidën mes New England e Atlantës.

Ajo që të bën përshtypje është se për herë të parë, kompania ‘Tiffany&Co’, krijuesja e troufeut ‘Vince Lombardi’ të Super Bowl do të mundësojë shfaqjen e një spoti publicitar gjatë ndeshjes ku imazh do të jetë edhe këngëtarja Lady Gaga që do të interpretojë edhe në spektaklin e organizuar në pushim të ndeshjes.

Të tjerë emra të rëndësishëm të spektaklit që do të shfaqen në spotet e kësaj finaleje do të jenë edhe Justin Timberlake, Jon Lovitz, aktorja Melissa McCarthy, modelja Miranda Kerr si dhe “quarterback”  Cam Newton. Po kështu në këto spote do të shfaqet edhe vetë Tom Brady që pritet të jetë një prej protagonistëve në fushën e  lojës si kuotërbeku i New England.

Top Channel