Tuneli i Shën Mërisë, Veliaj: Më shumë ujë në rrjet, më pak kosto financiare

03/02/2017 00:00

Ndëtimi i tunelit për furnizimin me ujë të pijshëm të Tiranës nga burimi i Shën Mërisë është një nga investimet më strategjike të bashkisë, që jo vetëm do të rrisë kapacitetet e prurjeve nga burimet e Malit të Dajtit, por do të ule kohën dhe kostot financiare.

Gjatë inspektimit të punimeve kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se për këtë projekt po hapet një tunel i gjatë rreth 2 km, i cili do të mundësojë kalimin e tubacionit dhe rënien e lirë të ujit drejt Tiranës.

“Për pak javë do të kemi ujin që vjen nga Shën Mëria direkt nëpërmjet këtij tuneli për të shkuar në Lana Bregas dhe për të furnizuar Tiranën. Kjo ka disa të mira. I kursen kompanisë tonë 2 milionë dollarë në vit, të cilët shkonin si pagesa për energjinë elektrike që pomponin ujin nga lugina në mal, për të zbritur prapë pastaj në luginë, aty ku është Tirana. Duke çarë malin, me 2 km tunel, sigurohemi që kemi një linjë të re transmetimi dhe s’kemi humbje. Jo vetëm kaq, por gjithë furnizimi bëhet me rënie të lirë dhe jo me koston e papërballueshme të pompave elektrike”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai theksoi se ky investim do të shtojë ujin në hidrocentralin e Lanabregasit, çka do të rrisë kapacitetin e prodhimit të energjisë dhe për rrjedhojë edhe ardhurat prej saj.

“Nga linja e re, një pjesë e madhe e abuzimeve ose e shpërdorimit të ujit në rrjet shkon direkt edhe në hidrocentralin e Lana Bregasit, fitojmë më shumë ujë, fitojmë edhe më shumë energji. Kësisoj, kemi një kompani që del më rentabël dhe pastaj, kjo na fuqizon financiarisht për të bërë edhe më shumë investime”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se gjatë këtij viti UKT do të shtojë kapacitetin e filtrimit të ujit të pijshëm edhe në impiantin e Bovillës, duke mundësuar furnizim më të mirë me ujë të qytetarëve të Tiranës.

Top Channel