Ministrja Ekonomi: Procesi i akreditimit, garanci për konsumatorët

03/02/2017 00:00

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi deklaroi se “Shqipëria është pjesë e tregut të përbashkët rajonal, europian dhe më gjerë, ndaj është shumë e rëndësishme që të dalim në treg me produkte të mira, të certifikuara dhe të sigurta për konsumatorin, si brenda dhe jashtë vendit”.

Këto deklarata, Ekonomi i bëri gjatë një konference me titull: “Akreditimi, përfitim për biznesin, garanci për konsumatorin”, organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, institucion në varësi të MZHETTS.

Aktualisht, numri i organeve të akredituar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit është 64, nga të cilat 39 janë laboratorë testues, 3 laboratorë mjekësorë, 3 laboratorë kalibrues, 3 organe certifikues të sistemeve të menaxhimit dhe 3 organe certifikues të personelit dhe 13 trupa inspektuese. Akreditimet pothuaj janë dyfishuar në krahasim me 2013, kur ishin të akredituara vetëm 33 organe çertifikuese. Drejtoria e Përgjithshme të Akreditimit, së fundi ka nënshkruar Marrëveshjen e Njohjes Reciproke në Organizmat Evropiane dhe Ndërkombëtare të Akreditimit për fushën e testimit. Kjo do të thotë se të gjithë certifikatat e lëshuara nga këta laboratorë të akredituar, do të jenë ekuivalente dhe të pranuara në nivel Evropian.

Ministrja Ekonomi shprehu entuziazmin e saj për këto arritje, duke shtuar se fakti që Shqipëria arriti të firmosë marrëveshje të këtij lloji tregon se ka angazhim serioz të institucionit përkatës shqiptar, por dhe interesim të madh të sipërmarrjes në drejtim të përmirësimit të cilësisë së produkteve që duhet të dalin në treg. Ministrja kërkoi vazhdimin e punës me të njëjtin intensitet, me synimin final për të patur produkte sa më cilësore për konsumatorët vendas dhe të huaj. Ajo shprehu gjithashtu kënaqësinë që pikërisht sot, në këtë aktivitet, akreditohen 5 trupa të reja certifikuese, të cilat do të garantojnë më shumë cilësi në treg.

Top Channel