Ndalimi i myslimanëve, Iraku: Përfitojnë terroristët

03/02/2017 00:00

Urdhri ekzekutivi i Donald Trumpit për t’u ndaluar hyrjen shtetasve nga shtatë vende me shumicë myslimane, përfshirë këtu dhe Irakun, mund të ndikojë negativisht mbi bashkëpunimin kundër ekstremistëve në Mosul.

Ligjvënësi irakian Rinas Jano, anëtar i Komisionit Parlamentar të Marrëdhënieve me Jashtë, thotë se Bagdadi po mendon të marrë masa kundër këtij vendimi. Pasojat, sipas tij, do t’i vuajnë trupat irakiane dhe ato amerikane që luftojnë së bashku ekstremistët në qytetin e dytë më të madh të Irakut.

“Parlamenti irakian propozoi të hënën që të merren masa në përgjigjje të urdhrit të Trumpit nëse Shtetet e Bashkuara nuk vendosin ta rishikojnë këtë lëvizje. Po qe se veprimet reciproke do të marrin udhë vërtet, atëherë të parët që do të përfitojnë nga kjo situatë do të jenë terroristët dhe ekstremistët në terren”, tha ai.
 
Lee Gelernt, jurist i Unionit Amerikan të të Drejtave Civile, njoftoi se një gjykatës federal i ka kërkuar qeverisë listën e personave të ndaluar në bazë të dekretit presidencial. Gjykatësi e ka bërë të qartë se askush nuk duhet lëvizur përsa kohë çështja mbetet në gjykim. Ne, shprehet Gelernt, kemi prova se njerëzit po lëvizen dhe gjykatesi Donnelly nuk e dëshiron një gjë të tillë.

Por, ndërsa Amerika u mbylli dyert sirianëve, në Aeroportin Ndërkombëtar të Mexico City-t mbërriti studentja më e fundit nga Siria, të cilën lufta në vendlindje e ka detyruar ta ndërpresë shkollën. Samah u bë e pesta qytetare siriane që dërgohet në Meksikë në kuadër të projektit studentor Habesha.

Zërave të pakënaqur me qëndrimin e Trumpit, u është bashkuar sakaq dhe Angelina Jolie. Aktorja, mbështetëse e të drejtave të njeriut, argumenton se ky vendim do të prekë refugjatët më të cënueshëm e do të ushqejë ekstremizmin. Ndonëse nuk përmendi Trumpin në emër, Jolie deklaroi se masa si këto të fundit duhen ndërmarrë mbi bazën e fakteve dhe jo të frikës.

Top Channel