Mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare

03/02/2017 12:15

Është mbledhur në Presidencë Këshilli i Sigurisë Kombëtare, i kërkuar nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta në lidhje me mosarrestimin e Klement Balilit. Në këtë mbledhje mungon kryeministri Edi Rama.

Këtij takimi i parapriu sot një takim i shkurtër mes kryeprokurorit Llalla dhe kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Si Meta ashtu edhe Llalla nuk kanë komentuar se për çfarë u bisedua në këtë takim, por burime prane prokurorisë thanë se ai ishte informues në lidhje me situatën e krijuar veçanërisht pas akuzave të forta që ambasadori amerikan lëshoi ndaj kryeprokurorit, por edhe përgjigjja e këtij të fundit.

Para mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, është kryer ceremonia e betimit të ministrit të ri të Drejtësisë, Petrit Vasili. Në selinë e Presidentit gjatë betimit ka qenë edhe zëvendëskryeministri Niko Peleshi. Vasili ka qendruar në Presidencë sepse pas disa minutash nisi mbledhja, ndërsa më pas aty kanë hyrë drejtues të lartë të institucioneve në vend, përfshi këtu edhe ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Përpara se të merrte pjesë në Këshillin e Sigurisë, ministri i Brendshën ishte në Durrës. Ai nuk iu përgjigj pyetjeve për arrestimin e zyrtarëve të lartë të policisë në jug të vendit, por gjatë takimit në universitetin “Aleksandër Moisiu”, ka përdorur sërish tone të ashpra ndaj atyre që  sipas tij me akuza dhe fyerje po mbajnë larg së vërtetës qytetarët shqiptarë.

Top Channel