Konflikti Rusi-Ukrainë, SHBA: E dënojmë pushtimin e Krimesë

03/02/2017 00:00

Përshkallëzimi i situatës në Ukrainë ka detyruar Kombet e Bashkuara t’u kërkojne të dyja palëve të përfshira në konflikt respektimin e armëpushimit dhe lejimin e ndihmës humanitare në rajonin e prekur nga luftimet.

Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Jeffrey Feltman kujtoi se, që prej 7 janarit dhe sidomos këto ditët e fundit, përplasjet në Ukrainën lindore kanë pasur një intensifikim të rrezikshëm.

“Sekretari i Përgjithshëm ka shprehur shqetësim të thellë mbi nivelin e lartë të gatishmërisë ushtarake dhe intensifikimin e luftimeve, që po ndikojnë ndjeshëm mbi popullatën. Monitoruesit europianë të OSBE-së kanë regjistruar mbi 10 mijë shpërthime në lindje të Donetskut, si dhe përdorim të vazhdueshëm të armëve të rënda”, tha Jeffrey Feltman, zv.sekretar i Përgjithshëm, OKB.

Në një lëvizje befasuese, ndërkohë, duke pasur parasysh se me zgjedhjen e Donald Trumpit president Rusia ka shpresuar shumë në zbutjen e marrëdhënieve dypalëshe, ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley e dënoi ashpër qëndrimin e Moskës, e tha se sanksionet e vendosura kundër saj do të mbeten në fuqi deri në dorëzimin e Krimesë.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta dënojnë pushtimin rus të Krimesë. Krimeja është pjesë e Ukrainës. Sanksionet tona nuk do të hiqen derisa Moska t’i kthejë Kievit kontrollin e gadishullit”, tha Nikki Haley, ambasadore amerikane në OKB.

Sipas CNN-it, Haley nuk ka marrë udhëzime nga Shtëpia e Bardhë për qëndrimin e saj, por kjo e fundit ishte në dijeni të fjalimit të ambasadores dhe nuk i ka kërkuar të mos e mbajë. Gjatë fushatës zgjedhore, Trump pati lënë të kuptohej se mund ta njihte aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Top Channel