Takimi me sipërmarrësit italianë, Basha: Taksa 9 përqind

03/02/2017 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar me një grup sipërmarrësish italianë. Basha prezantoi projektin e PD-së, në themel të të cilit qëndron taksa e sheshtë 9 për qind.

“Cila është pengesa kryesore e të bërit biznes në Shqipëri sot? Përgjigjja unanime është: Qeveria, shteti. Ne do ta heqim këtë pengesë”, tha Lulzim Basha.

Lulzim Basha prezantoi para 70 sipërmarrësve italianë alternativën e demokratëve, që është qeveria e taksave të ulëta.

“Në themel është taksa e sheshtë prej 9 për qind. Tatimi mbi dividentin do të zerohet, ndërsa TVSH-ja do të ketë një shkallë të vetme tatimore prej 15%”, tha Basha.

Por kreu i demokratëve thotë se kjo nuk mjafton kur mungon shteti ligjor.

“Një grup investitorësh vjen nga Kalabria për të investuar këtu dhe gjendet përballë polemikave, se Ndrageta është e lidhur me narkotrafikun shqiptar. Këto gjëra janë shkruar në shtyp, në media, ndaj ka një infrastrukturë tjetër që na nevojitet, që është shteti ligjor, pa të cilin çdo gjë tjetër është thjesht fjalë”, tha një sipërmarrës italian.

“A mund të bëhet fjalë për një shtet ligjor në një vend, ku siç keni parë javën e fundit, edhe vet ministrat e qeverisë akuzojnë kabinetin, ministrin e Brendshëm, policinë për përfshirje në trafikun e drogës. Si rivendoset shteti ligjor? Duke pasur një kabinet të pastër dhe unë ju garantoj se kabineti im do të përbëhet nga burra dhe gra të tillë”, tha Basha.

Për të mbështetur Lulzim Bashën ishin senatori italian i partisë simotër “Forza Italia”, Paolo Romani, si dhe Mario Mauro, senator i grupit të Partive Popullore, ku nuk munguan edhe batutat.

“Kuptuam etimologjinë e fjalës Lulzim, që është moment kur çel lulja. Mendoj se është një ogur i mirë për të ardhmen e vendit të kesh një kandidat për kryeministër me këtë emër”, tha Mario Mauro, senator i Partive Popullore.

Top Channel