Sulm me hanxhar në Paris, ushtari ndal agresorin

03/02/2017 00:00

Qetësinë relative të Parisit të tronditur nga një seri sulmesh terroriste e lëkundi një incident në Muzeun e famshëm të Luvrit. Një person i armatosur me hanxhar tentoi të hynte në zonën e nëndheshme të dyqaneve përpara muzeut, por është qëlluar nga një ushtar francez.

Burri, i cili thërriste me të madhe “Allaku Akbar” ka marrë plagë të rënda në bark. Ministria e Brendshme franceze tha se sulmi ishte i natyrës terroriste dhe shtoi se identiteti i agresorit nuk është konfirmuar ende.

Incidenti nisi në orën 10, me atë lokale, kur i riu u vërsul drejt 4 ushtarëve që mbronin godinën. Ata fillimisht tentuan të mos e lëndonin, megjithatë, kur dështuan ta ndalnin dhe sulmuesi plagosi lehtë njërin prej tyre, kolegu pranë tij hapi zjarr.

“Dëgjuam të paktën 4 të shtëna. Fillimisht mendova se ishin fishekzjarre, por pastaj kuptuam se diçka kishte ndodhur. Dëgjova njerëzit që bërtisnin dhe një zeë nisi të thërriste: dilni jashtë të gjithë”, tha një dëshmitare okulare.

Agresori mbante me vete dy çanta shpine, por në to nuk u gjetën eksplozivë. Forcat e sigurisë u vunë menjëherë në lëvizje, ndërsa autoritetet e përshkruan situatën si “serioze”. Luvri, shtëpi e disa prej veprave më të famshme të artit në botë, përfshirë këtu “Mona Lizën”, u evakuua i gjithi me shpejtësi.

Agresori, që raportohet të jetë diku te të 30-at, nuk kishte me vete dokumente identifikimi. Një person i dytë, i cili po sillej shumë çuditshëm në vendin e ngjarjes, u ndalua nga forcat e rendit, megjithatë nuk dihet me siguri sesa lidhje ka pasur ai me sulmin.

Top Channel