Përplasja Llalla-Lu në “Washigton Post”

03/02/2017 00:00

Përplasja e Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Donald Lu është pasqyruar nga disa prej mediave të rëndësishme botërore, përfshirë “Washington Postin” që i ka kushtuar hapësirë artikullit të plotë të “Associated Press” mbi temën më të nxëhtë të këtyre dy ditëve në Shqipëri.

Llalla akuzoi ambasadorin Lu për “sulme krejtësisht jodiplomatike” si dhe për përdorimin e shantazhit me qëllimin të arrihej nisja e hetimeve mbi një kompani të mbyllur ndërkombëtare”. Kjo është fjalia që përmbledh me pak fjalë në shkrimin e agjencisë prestigjoze thelbin e konfliktit të shpërthyer të enjten mes përfaqësuesit të shtetit amerikan në vendin tonë dhe kreut të organit shqiptar të akuzës.

“Një presion i tillë nga ambasadori amerikan në Tiranë tenton të manipulojë opinionin publik dhe të zhvlerësojë institucionet”, tha Llalla në një deklaratë të dërguar për “Associated Press” përmes postës elektronike.

Vetë Lu e akuzoi më herët kryeprokurorin se ka folur hapur kundër reformës gjyqësore dhe se ka shkelur Kushtetutën duke përzgjedhur në mënyrë jotransparente vetëm tre kandidatura për tre poste në emër të Prokurorisë për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. 

Ambasadori e bëri të qartë se gjyqtarë amerikanë dhe ndërkombëtarë, si dhe prokurorë nga vendet anëtare të BE-së, do të mbërrijnë javën e ardhshme për të mbikëqyrur procesin e reformave dhe verifikimin e zyrtarëve që do të caktohen në bordet e monitorimit.

Mesazhi im, citohet të thotë Lu, është i qartë: Shtetet e Bashkuara i kanë sytë këtu dhe vendet anëtare të BE-së, gjithashtu ashtu siç bën edhe OSBE-ja e Këshilli i Europës.

“Populli shqiptar dhe shoqëria civile duhet t’i mbajnë sytë hapur për të ndaluar këta njerëz të pushtetshëm që t’i vjedhin dhe t’i dëmtojnë”, shton Lu.

Javën që shkoi, vazhdon artikulli, Ambasada Amerikane njoftoi pa bërë emra se ia kishte hequr vizat e udhëtimit disa prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë, me argumentin se do të vazhdojë ta përdorë autoritetin e saj për avancimin e përpjekjeve kundër korrupsionit në Shqipëri. Në mesin e individëve të shënjestruar ishte dhe Llalla me bashkëshorten e tij.

Top Channel