Tjetër arrestim nga radhët e Policisë së Shtetit

02/02/2017 00:00

Pas arrestimit të Shefit të Rendit në Drejtorinë e Policisë së Vlorës,  një tjetër arrestim ka ndodhur nga radhët e Policisë së Shtetit.

Në pranga ka përfunduar shefi i specialistëve të zonave, në komisariatin e Tepelenës, Gani Abazi.

Arrestimi i Abazit vjen si rrjedhojë e të njëjtit operacion të urdhëruar nga Prokuroria, që çoi në pranga edhe Shefin e Rendit të Vlorës, Haki Hasanbegaj. Ky i fundit u arrestua menjëherë pas publikimit të lajmit në Top Channel, sipas të cilit, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur nën përgjim 22 zyrtarë të lartë.

Paraprakisht, mësohet se arrestimi i tyre është bërë pasi dyshohet se kanë favorizuar kultivimin e bimëve narkotike.

Një burim i lartë zyrtar i pohoi Top Channel se, në listën e përgjimeve nga Prokuroria janë tashmë edhe shumë drejtues të policisë.

Duket se gjithçka ka ndodhur pas shpërthimit të përplasjes mes Llallës dhe ambasadorit amerikan Lu, si dhe acarimit të situatës pak orë para mbledhjes së nesërme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështjen “Balili”.

Top Channel