“Punësimi”, Meta: Kujdesemi për njerëzit; Tahiri: Ka parti që gënjejnë

02/02/2017 00:00

Punësimi ka qenë një tjetër pikë debati brenda koalicionit qeverisës PS-LSI. Në një takim me strukturat e Tiranës, Ilir Meta përdori ironinë lidhur me termin “strategjik” të përdorur nga partnerët politikë socialistë, ndërsa mes të tjerash përsëriti se LSI është parti që kujdeset për punësimin e njerëzve.

“LSI është e përqëndruar te problemet. LSI ka qëllime strategjike për zhvillimin dhe stabilitetin e vendit dhe për modernizimin e tij. Avantazhi që ka LSI-ja është se ka edhe durim strategjik, pra ka nerva të çelikta. Është mesazh që LSI është për njerëzit, qëndron për njerëzit, për punësimin e tyre, për përfshirjen e tyre”, tha Ilir Meta.

Nga Partia Socialiste ishte Saimir Tahiri, ai që foli për punësimin. Ai shfrytëzoi një takim elektoral me të rinjtë në Kamëz, kur tha se ky komunitet, deri më sot ka vuajtur nga forcat politike që jetojnë vetëm me premtimin e punësimit.

“Çdo fushatë është bërë zakon edhe vijnë e ju trokasin te dera. Ju premtojnë se do t’iu marrin në punë, që do t’iu zgjidhin punë. Ka parti në Shqipëri që jetojnë vetëm me këtë qëllim, premto e gënje se do të fusësh në punë e se do zgjidhësh punë. Kjo nuk është Shqipëria që duam”, deklaroi ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Pas shkarkimit të Manjanit, PS dhe LSI janë përplasur për disa çështje të rëndësishme si kanabisi, shëndetësia apo edhe arsimi.

Top Channel