SHBA, administrata “Trump” nis lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë

02/02/2017 00:00

Përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë, presidenti i ri amerikan Donald Trump e ka mes prioriteteve të Presidencës së tij, e nuk po humb kohë për ta treguar këtë.

Pas bisedave të ngrohta telefonike me presidentin Vladimir Putin, hapi i radhës është lehtësimi i sanksioneve të epokës “Obama”.

Departamenti i Thesarit njoftoi të enjten se do të lejojë disa kompani amerikane të bëjnë biznes të kufizuar me Shërbimin federal rus të Sigurimit, i njohur si “FSB”. Ky shënon një hap para drejt reduktimit të sanksioneve të vendosura në fund të administratës “Obama”.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se, lëvizja ishte në fakt një rregullim teknik i sanksioneve në fuqi, në mënyrë që të shmangen pasoja të paparamenduara në lidhjet mes SHBA-ve dhe Rusisë.

Vet Trumpi refuzoi të pranojë se kishte lehtësuar sanksionet ndaj Rusisë, gjatë një takimi me drejtues të “Harley Davidson” në Shtëpinë e Bardhë. Të njëjtin qëndrim pati edhe zëdhënësi i tij, Sean Spicer, gjatë një konference për shtyp.

“Nga ajo që kuptoj unë, bëhet fjalë për një praktikë të zakonshme të Departamentit të Thesarit, që pas hyrjes në fuqi të sanksioneve të shqyrtohet nëse duhen bërë përjashtime të caktuara për industri apo produkte të ndryshme”, tha Sean Spicer, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

E megjithatë, sipas tij, kjo lëvizje nuk reflektonte një ndryshim të politikës. Agjencitë amerikane të inteligjencës akuzojne FSB-në për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane.

Top Channel