“Fiks Fare”, avokati sekser: 3.000 euro për gjyqtarët e Apelit Shkodër

02/02/2017 00:00

Një avokat tentoi t’i japë gjyqtarit 3.000 euro kundrejt një vendimi pafajësie. “Fiks Fare” solli fakte për mënyrën sesi avokatët i kërkonin lekë të pandehurit Gjergji nga Thumana.

Bëhet fjalë për avokatin Gjin Marku, i cili u arrestua këtë të mërkurë nga Prokuroria për Krimet e Rënda, nën akuzën e “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Historia e arrestimit zë fill rreth 2 vite më parë, kur vet i pandehuri Altin Gjergji, i akuzuar për kultivim të bimëve narkotike, u ankua në “Fiks Fare”.

“Jam nga Puka. Në vitin 2012 kam ikur në Greqi pa letra. Në shtator 2015 jam kthyer në Shqipëri. Sapo u ktheva me sollën me postë një fletëthirrje nga gjykata, ku njoftonin se akuzohesha për mbjellje të bimëve narkotike”, thotë ai, duke treguar se në atë kohë kishte marrë avokat Marash Ibrajn.

Mbrojtësit të tij i kishte dhënë 400 mijë lekë. Pas kësaj, ai ishte vënë në dijeni se për këtë vepër penale ishte akuzuar nga Dod Frroku, i cili ishte kapur në parcelën me kanabis dhe kishte deklaruar se ajo i përkiste Altin Gjergjit, i cili e furnizonte me ushqime dhe mjetet e tjera të jetesës.

“Unë nuk e njihja Dod Frrokun. E gjeta atë dhe më tha që nuk të njoh, e çova tek avokati dhe më tha do ta shtyj gjyqin deri në datë 20 tetor. Më pas, avokatin Marash Ibraj e takoi vëllai im, të cilit i tha se duhen 15 milionë lekë për të mbyllur çështjen, pasi ishin 3 gjyqtarë dhe prokurori që duheshin paguar. Në këto kushte, erdha në ‘Fiks Fare’ për të marrë të drejtën. Nëse dalin shenjat e mia të gishtave, nëse unë e kam ba këtë gja, të varem në mes të Tiranës. Nuk kam mundësi as të paguaj 15 mijë lekë të vjetra, e jo më 15 milionë lekë”, thotë Altin Gjergji.

Gjatë bisedës që ka bërë me avokatin e parë, Marash Ibraj, ky i fundit i kërkon 15 milionë lekë të vjetra në këmbim të lirisë. Avokati Ibraj, gjatë bisedës së tij nuk përmend emrat e personave që do t’i marrin këto parà, por kërkon që një ditë përpara ditës së gjyqit, shuma e parave që ai kërkon duhet të jenë në shtëpinë e tij si garanci.

I pandehuri nuk ka pasur mundësi financiare për të bërë këtë pagesë. Ai u lidh me avokatin tjetër Gjin Maku për të ndjekur procesin gjyqësor. Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Pukës, Altin Gjergji u dënua me 6 vite e 6 muaj burg. Pasi u lidh me avokatin Gjin Markun apeloi çështjen.

Në takimin që avokati Gjin Marku pati me të afërmit e të pandehurit të dënuar në mungesë, avokati i ri kërkon 500 mijë lekë për vete dhe 3 mijë euro për trupin gjykues, që kryesohet nga Astrit Kalaja.

“Në datën 7 (Dhjetor 2016) kemi gjyqin na. Pa fol, unë kam fol, po pa fol mirë nuk të jap dot përgjigje. Unë e kam marrë një gjysmë llafi, unë nesër të jap përgjigje, dakord. Nesër folim bashkë, me shku në Gjykatën e Apelit nesër në 7, kur të shkoj unë duhen lekë, nuk shkoj pa lekë. Unë si Gjin, si avokat mbrojtës, unë dua 500.000 lekëshin (të vjetra) tem. Nesër të jap përgjigje sa duhen për ta kthyer në Pukë ose për ta bërë ndonjë lojë”, thotë avokati në takimin e parë.

Në ditën e dytë, ai takohet me nënën e të dënuarit, ku i thotë se i duhen 500 mijë lekë të vjetra për të dhe 3.000 euro për gjyqtarët.

“Të paktën një treshe e duan. Euro, euro, për me dërgu prapë çështjen për Pukë, të mos e dënojnë, se e lënë 6 vite e 6 muaj në burg. S’të rrej unë, unë s’dua me të rrejt”, i thotë avokati nënës së të dënuarit.

Pas këtyre bisedave, gjyqet u shtynë disa herë. Mamaja e të pandehurit pati dhe 5 takime të tjera me avokatin Marku, por nuk u arrit të merrej vendimi i pafajësisë. Gjykata e Apelit Shkodër la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe qytetari mbeti i dënuar me 6 vjet e 6 muaj burg.

Biseda e parë me avokatin Gjin Marku

Avokati: Tani para nesër nuk të kthej përgjigje. Në datën 7 (Dhjetor) kemi gjyqin na. Pa fol, unë kam fol, po pa fol mirë nuk të jap dot përgjigje. Unë e kam marrë një gjysmë llafi, unë nesër të jap përgjigje, dakord. Nesër folim bashkë, me shku në Gjykatën e Apelit nesër në 7. Kur të shkoi unë duhen lekë, nuk shkoj pa lekë.
Fiksi: Atëherë sa lekë duhen?
Avokati: Unë si Gjin, si avokat mbrojtës, unë dua 500 000 lekëshin (të vjetra) tem. Nesër të jap përgjigje sa duhen për ta kthyer në Pukë. Ose për ta bërë ndonjë lojë.
Fiksi: Unë të paktën ta di se kush e kush, se tani pa lekë nuk bahet gja normal, se lekë nxjerrë ujin përpjetë.
Avokati: Do të japë përgjigjen një herë, se kam 15 vite që punoi në këto punë nuk jam sot. Kam punu në polici me krimet, inspektor rendi me qarkullimin, i kam ba te tana.

Biseda e dytë me avokatin Gjin Marku. Dita e dytë, nëna e të dënuarit takon avokatin

Nëna e të dënuarit: Unë jam duke të thën kaq, cili avokat ose cili gjygjtar e ka, e unë lekët tua t’i jap në dorë. Unë në datën 6 o të sjellë aq sa të më thuash ti këtu, o më ke tek gjyqi e paret i ke (në dorë). Sa të marrin ato e sa të më thuash ti, hap gojën, sa më duhen?
Avokati: Unë nesër, nuk jam duke të thënë gjë se na inçizojnë fjalët, na inçizojnë, do të shkoj të merrem me to. Shkova e takova, s’kam mundësi shumë më tha se kam shumë gjyqe më tha, s’ke ku me takue.  Nesër në mëngjes, jam në Shkodër për këtë punë, për këtë Altin.
Nëna e të dënuarit: Sa lekë të ka djali im ty?
Avokati: 500 000 lekë (të vjetra) për mu.
Nëna e të dënuarit: Për ty?
Avokati: Po.
Nëna e të dënuarit: Po për ato shokët?
Avokati: Të paktën një 3-she e duan.
Nëna e të dënuarit: 3 milion?
Avokati: Euro, euro, për me dërgu prap çështjen për Pukë të mos e dënojn, se e lën 6 vite e 6 muaj në burg këto e lën në burg. S’të rrej unë, unë s’dua me të rrej. Të shkoj në Pukë prap çështja, ta gjykojn prap të tjerët.
Nëna e të dënuarit: Me një fjal 500 (mijë lekë të vjetra) jan të tuat?
Avokati: Po, po.
Nëna e të dënuarit: Ene për ata.
Avokati: Të thashë unë 3 mijë euro. Ta dish, këto jan fikse, a je dakord me mua? Këto janë llafet e mia. Unë nesër jam në Shkodër në 7, e kemi në orën 13 gjyqin.
Nëna e të dënuarit: Sa gjyqtarë janë aty, sa?
Avokati: Tre.
Nëna e të dënuarit: Në Shkodër.
Avokati: Tre në Shkodër.
Nëna e të dënuarit: Këto 3 mijë eurot a do t’i ndajnë gjykatësit në Shkodër?
Avokati: Po bashkë.
Nëna e të dënuarit: A?
Avokati: Ato të tre bashkë mor. Jan të Shkodrës mo.
Nëna e të dënuarit: Po si e ka emrin i pari? (Kryesuesi i seancës)
Avokati: E ka Artur Kalaja. Artur Kalaja. (Shënim redaksional: Gjyqtari është Astrit Kalaja)
Nëna e të dënuarit: A mundet të më shkruash në një letër? Edhe mua më ke mbas veti atë ditë. Me një fjalë ato të kanë than se të bëjnë punë këto? Merr pafajësinë në Shkodër?
Avokati: Jo, do e dërgoj për rigjykim në…
Nëna e të dënuarit: Pukë.
Avokat: Pukë, Artur Kalaja (Shënim redaksional: Gjyqtari i çështjes është Astrit Kalaja).

Biseda me avokatin tjetër, Marash Ibraj

I dënuari: Erdha thashë ta bëjmë muhabet një herë se unë…
Avokati: Unë edhe vllaut tënd ia shpjegova.
I dënuari: Ai ishte dhe pak i nxehur, ku di unë punët e veta.
Avokati: Nejse s’ka problem, unë i thashë o shoku unë nuk jam prokuror, nuk jam prokuror. Unë nuk jam për të ngrejt akuzë. Unë jam t’u të thanë o zotëri i nderuar, mue më është kërkue a e don qët nder po, paç e dhanç, a ke mundësi jo. Rri tek shpia.
I dënuari: Të kuptoj.
Avokati: Po është i pafajshëm, shko e lype mor ti bos që është i pafajshëm.
I dënuari: Po të kuptoj. Tashi unë duhet më e ditë se borxh jam tuj i marr ato lekë.
Avokati: Kafen e do avokati, mos u lodh me i nda me emra. Mos u lodh me i nda me emra!
I dënuari: Tashti ato lekë që po të jap unë, ti kujt mendon që ta di…
Avokati: Mua.
I dënuari: Ty komplet?
Avokati: Pooo tek unë i jep dhe tek unë i lyp. Lekët ke me ia dhënë avokati.
I dënuari: Vetëm ti ke me i marr lekët?
Avokati: Vetëm unë.
Gruaja e të dënuarit: A të bëj një pyetje?
Avokati: Sa të duash.
Avokati: Kqyre Marashin, ma dëgjo një fjale, ma dëgjo një fjalë. Ti të jesh e bindur, të jesh e bindur se i kam bërë ato llogari unë, deri ku nuk duron më. Sepse ti do jesh dëshmitare sa herë kena me e bë rrugën e Pukës. Të tëna këto sene janë kosto.
I dënuari: Këto i do në datë 20 kur të bëhet gjyqi, a 2 orë pa u dhënë gjyqi, a i don përpara gjyqit? A si i don ti?
Avokati: I bëjmë si të dush ti, ndaç një ditë para, ndaç dy ditë para, ndaç ditën që do lirohesh, ndaç ditën që do fillojmë punën. Si të duash ti! Unë deklaratën do ta bëj në këtë mënyrë, që ato lekë që merren kthehen të tëra, nëqoftëse nuk shkojmë atje ku don zotëria, por ti mos m’i jep mua të tëna. Ti mua më sill 5 milion, 10 mbaji vetë dhe ditën e lirimit do të them sille në dark 10-shen (milion lekë). Nesër merr djalin me vete.
Familjari i të dënuarit: Jo unë ditën e lekëve do jem me ty tek gjyqi…
Avokati: Patjetër me mua, jo vetëm ti e kush të dojë.
Familjari i të dënuarit: Dhe lekët do t’i kem unë në çantë.
Avokati: Ditën lekët, në darke lekët do flenë tek unë. Unë po të them se lekët në darke do mbyllen tek unë. Pra nesë ne kemi gjyqin, po ja fus kot, gjyqin e lirimit nesër në dt 20 është gjyqi, në datën 19 lekët flenë tek unë dhe unë të jap letrën ty zotëri i nderuar që të mora kaq lekë. Ta vulosi ta firmosi që kto lekë t’i kam marrë unë e kanë fjet tek unë. Me marrveshje, nëqoftese lirohet djali janë të miat, nesë nuk lirohet ti ke ardh me i marr nesër. Po nesë dikush del e thotë o bos sa të ka kërkuar avokati 15 po, të nxjerr unë me tre. Mos hajdeni tek unë me më bë nder mu. Ju keni hallin dhe unë e di se si është halli. E di shumë mirë se si është halli.

FOTO GALERI
1/4
I pandehuri Altin Gjergji

Top Channel