Vetëdeklarimi i këngëtarëve

02/02/2017 00:00

Në kuadër të luftës kundër informalitetit, javët e fundit janë kryer kontrolle të shpeshta nga Administrata Tatimore për evidentimin e personave që sigurojnë të ardhura pa paguar detyrimet tatimore. Kryesisht kontrolli është ushtruar në aktivitetet që kanë për qëllim argëtimin, përmes jetës së natës dhe muzikës “live”.

“Formën e pagesës së detyrimit tatimor, legjislacioni e ka paracaktuar shumë qartë. Këta individë që sigurojnë të ardhura, duhet të paguajnë detyrimin tatimor: ose të kenë një kontratë me pronarin apo administratorin e lokalit ku ata performojnë, ose të bëjnë deklarimin e tyre individual”, tha Xhavit Curri, zv.drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.

Artistët pranojnë se e njohin ligjin, por nuk janë dakord me mënyrën sesi po ushtrohet ai, pasi sipas tyre po u dëmtohet imazhi dhe nuk po u lihet kohë mjaftueshëm për t’u formalizuar. Veç kësaj, ata kërkojnë lehtësira për kategorinë ku bëjnë pjesë.

“Ajo që na shqetësoi më shumë ishte mënyra sesi erdhën Tatimorët te lokali, me shumë ekstravagancë dhe nuk kishte asnjë tolerim dhe bashkëbisedim. Të rinjtë që ishin u zhgënjyen, sepse është dëmtim imazhi. Një artist, qoftë aktor apo këngëtar, nuk e di asnjëherë se çfarë e pret në të ardhmen. Ne shpresojmë tek e nesërmja, që do të jemi të suksesshëm, por kjo nuk varet nga ne. Ne mendojmë se, në bazë të koncerteve t’i japim shtetit vlerën që i takon. Kemi nevojë për konsulencë, për hapësirë kohore. Nuk kemi biznes fiks, nuk jemi përherë të punësuar. Veprimtaria jonë ushtrohet me raste, në bazë të kërkesave të bizneseve të argëtimit që na ftojnë”, thanë Endri dhe Stefi Prifti, këngëtarë.

Zoti Curri thotë se nuk janë marrë masa dhe as nuk janë vënë afate për zbatimin e ligjit, duke u lënë kohë bizneseve dhe artistëve të plotësojnë dokumentacionin përkatës.

“Kohët e fundit janë kryer verifikime për evidentimin e këtyre personave, që ushtrojnë veprimtari të tilla, dhe për mënyrën e mbajtjes së dokumentacionit në mënyrë që më vonë pastaj të përpunojmë strategji, sesi këta individë të deklarojnë dhe paguajnë detyrimet tatimore”, tha Xhavit Curri.

Në vijim, në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve po publikohen njoftime informuese në ndihmë të artistëve dhe individëve që ushtrojnë profesione të lira.

Top Channel