Takim i vonuar dhe “flash”, Nishani pret Lu

02/02/2017 00:00

Presidenti Bujar Nishani e priti në orët e mbrëmjes së të enjtes ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu.

Pak pas orës 19:00, kryediplomati i Uashingtonit hyri në derën qendrore të Presidencës për t’u takuar me kreun e shtetit, i cili kishte refuzuar ta takonte më herët gjatë ditës.

Por duket se gjërat janë thënë gjatë ditës dhe palët nuk kanë patur shumë për të folur me njëra-tjetrën në mbrëmje, pasi takimi Nishani-Lu në Presidencë zgjat vetëm 15 minuta.

Ky takim mbërriti pas deklaratave të ashpra të ambasadorit amerikan kundër kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Lu akuzoi Llallën se po pengon prej muajsh reformën në drejtësi dhe kritika pati edhe për shortin në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, ku Prokuroria u paraqit me tre emra, aq sa vende i cakton ligji duke shmangur shortin.

Ndërkohë, po aq e ashpër ishte edhe kundërpërgjigjja e Adriatik Llallës, që akuzoi ambasadorin amerikan për “presione sorosiane”.

Top Channel