Superiorja, ndeshjet luhen të dielën dhe të hënën

02/02/2017 00:00

Federata Shqiptare e Futbollit zyrtarizoi kalendarin për javën e 20 të Kategorisë Superiore, duke shpërndarë në dy ditë ndeshjet e elitës, që pritet të sjellin risi në renditje.

Partizani do të presë Vllazninë në stadiumin “Selman Stërmasi”, në një përballje që shënon rikthimin e “të kuqve” në kryeqytet.

90-minutëshi i programuar për të dielën në orën 17:00, fillimisht u mendua të zhvillohej në “Elbasan Arena”, pasi në FSHF nuk kishte ardhur marrëveshja mes presidentëve, por duket se dhe ky ngërç është zgjidhur.

Po të dielën, Tirana do të impenjohet në fushën e Laçit, në një ndeshje ku “bardheblutë” synojnë pikë për Europën, ndërsa kurbinasit kërkojnë të mbijetojnë në Superiore. Kukësi kryesues ka në program një përballje të lehtë në letër, ndaj Teutës, që favorizohet edhe nga stadiumi i shtëpisë të dielën në orën 14:00.

Ndërkohë, të hënën janë në program dy përballjet e tjera, Korabi-Skënderbeu në orën 14:00 dhe Flamurtari-Luftëtari në 17:00. Përsa u përket dibranëve, FSHF ende nuk ka marrë një vendim zyrtar nëse do ta lejojë Korabin të luajë ndeshjen ndaj korçarëve në stadiumin e Peshkopisë.

Top Channel