Gjakoset “Dubai Tour”, çiklizmi kthehet në “arenë boksi”

02/02/2017 00:00

Andriy Grivko u përjashtua nga “Dubai Tour” në çiklizëm, pas një etape që degjeneroi në dhunë fizike, duke e kthyer pistën aziatike në një arenë boksi në sytë e dhjetëra sportistëve të tjerë.

Ukrainasi i skuadrës “Astana” goditi me grushte gjermanin Marcel Kittel gjatë garës, në një pjesë të karakterizuar nga era e fortë.

Imazhet e çiklistit të gjakosur në fytyrë bënë xhiron e botës në pak minuta dhe në fundin e etapës së fituar nga John Degenkolb, erdhi edhe përjashtimi i ukrainasit.

“U godita ashpër nga Grivko dhe për këtë arsye pata gjak në fytyrë, edhe pse arrita të qëndroj në biçikletë. Nëse ke një konflikt gjatë garës, kërkon të flasësh me dikë, e ndoshta edhe mund të shtyhesh, por të arrish t’i bësh keq një tjetër sportisti është vërtet shumë”, tha sprintieri gjerman Marcel Kittel.

Ky i fundit është edhe udhëheqësi aktual i turneut që po zhvillohet në Dubai.

Top Channel