Mustafa, kundër “gjuhës nxitëse” të Serbisë: Serbët e Kosovës, të sigurtë

02/02/2017 00:00

Duke folur për “Radion Europa e Lirë”, kryeministri kosovar Isa Mustafa ka riktheksuar përkushtimin e qeverisë së drejtuar prej tij për dialog, paqe dhe stabilitet, si dhe për normalizimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje.

Më pas, duke kundërshtuar qëndrimet e presidentit serb Nikoliç dhe kryeministrit Vuçiç se, është Serbia ajo që përpiqet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, Mustafa shprehet se është fakt i njohur botërisht se “Republika e Kosovës është shembulli më i mirë rajonal, e më gjerë, i përkushtimit maksimal për zgjedhjen e mosmarrëveshjeve me mënyra demokratike”. Por ai shton se “e mirëpret përkushtimin e Serbisë për paqe dhe stabilitet”.

“Në procesin europian të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, ne kemi dëshmuar parimet dhe përkushtimin e plotë për paqe, stabilitet dhe qasje në përputhje me vlerat europiane”, është shprehur Mustafa.

“Këtë e di e gjithë bota demokratike dhe vërehet çdo ditë e më shumë. Ndaj, në koordinim me BE-në, me Shtetet e Bashkaura dhe vendet e tjera mike, ne do të vazhdojmë këtë qasje europiane dhe konstruktive, e cila nuk ka për synim nxitjen e tensioneve e konflikteve, por normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, pa dëmtuar ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në Kosovë”, tha Mustafa.

Ndërkohë, kryeministri serb Vuçiç deklaroi para takimit me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në Rashkë se, do të japë kontributin maksimal për paqe në rajon.

“Do të japim gjithçka nga vetja që ta ruajmë paqen, ndërkohë që nga Prishtina nuk presim asgjë”, është shprehur Vuçiç, i cili pranoi se “situata është e ndërlikuar”. Pavarësisht kësaj, Mustafa ka theksuar si gjithmon se “serbët e Kosovës janë plotësisht të sigurtë dhe se ata janë të mbrojtur nga ligjet dhe institucionet e Republikës së Kosovës, e askush nuk ka arsye që të shqetësohet në këtë drejtim”.

Top Channel