Thaçi, i shqetësuar nga propaganda e Serbisë

02/02/2017 00:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shprehet i zhgënjyer dhe i shqetësuar me fushatën propagandistike të stilit të vjetër të Serbisë, që vazhdon të ndjellë frikë dhe urrejtje ndëretnike te komuniteti serb që jeton në pjesën veriore të Kosovës.

Përmes një deklarate për mediet, ai vijon më tej se “Kjo propagandë e orkestruar nga Serbia synon frikësimin e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në veri të vendit dhe pengimin e procesit të integrimit të plotë të tyre në institucionet e Republikës së Kosovës”.

“Përgjatë të gjithë historisë, shteti i Serbisë ka manipuluar dhe viktimizuar për qëllimet e tij politike komunitetin serb që jeton në Kosovë. Pasojat e një qasjeje të tillë destruktive janë evidente edhe sot”, ka thënë Thaçi.

Ai ka ftuar Serbinë të heqë dorë nga praktika të tilla, të cilat nuk i shërbejnë në asnjë formë procesit të pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Me këtë rast, dua ta siguroj komunitetin serb që jeton në Kosovë, se asnjë e keqe nuk do t’iu ndodhë kurrë atyre nga ana e institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës, të cilat janë demokratike dhe mbrojnë jetën e të gjithë qytetarëve, kudo që janë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike”, deklaron Thaçi.

Ai kërkon nga Bashkimi Europian dhe NATO që t’i bëjnë vërejtje Serbisë, të përmbahet nga skenari për të nxitur një konflikt të ri në Kosovë dhe rajon.

“Kosova dhe i gjithë rajoni ynë kanë nevojë vetëm për rritje të bashkëpunimit rajonal, fqinjësisë së mirë dhe përshpejtimit të procesit të integrimit në BE dhe NATO, si kusht kryesor për paqen dhe sigurinë afatgjate”, thotë presidenti Thaçi.

Top Channel