Lehtësohen procedurat për emigrantët, shërbim konsullor “online”

02/02/2017 00:00

Ministria e Punëve të Jashtme ka publikuar projektin e dytë lidhur me shërbimet konsullore online, me anë të të cilit synohet jo vetëm dixhitalizimi i shërbimeve konsullore, por edhe përmirësimi i tyre në funksion të rritjes së cilësisë, lehtësimin e procedurave, shkurtimin e kohës së shërbimit si edhe në kuadër të transparencës dhe luftës kundër korrupsionin.

Shërbimi Konsullor Online (SHKO) sjellë ndryshime rrënjësore në mënyrën e ofrimit të shërbimit për shtetasit shqiptarë në botë. Kjo platformë vjen edhe si rezultat i angazhimeve të ndërmarra pas zhvillimit të Samitit të Diasporës, për jetësimin e nismës “Ofrimi i shërbimeve më cilësore për Diasporën”.

Ky projekt i sapo lançuar ofron procedura të automatizuara dhe gjithashtu dixhitalizimin e të gjitha shërbimeve konsullore dhe regjistrave elektronik (gjithsej 36 shërbime unike), dhe sigurinë më të lartë. Konkretisht, qytetarët  shqiptarë mund të marrin 23 shërbime online pa pasur nevojë të paraqiten personalisht, dhe 13 shërbime duke u paraqitur vetëm një herë.

Ky projekt synon reformimin e shërbimit konsullor, duke krijuar shërbime të posaçme, sipas praktikave më të mira evropiane dhe do të kontribuojë në modernizimin e dhënies së këtyre shërbimeve, duke thjeshtuar integrimin e procedurave dhe unifikimin e ofrimit të shërbimeve në një qendër të vetme.

Tashmë, për të kryer një veprim konsullor, nuk është më e nevojshme paraqitja e shtetasit shqiptarë pranë zyrave tona konsullore, por ata mund të aplikojnë online.
 

Top Channel