Ndalimi i refugjatëve, arabët të frikësuar. Mogherini kundër Trump

02/02/2017 00:00

Abdelkader Badat u largua tre vjet më parë nga Alepo në drejtim të Turqisë bashkë me pjesën tjetër të familjes së tij kur bomba thërrmuese u përplasën mbi lagjen e tyre dhe dëmtuan shtëpinë ku banonin.

Sot, janë sistemuar në Bloomfield të Michigan-it. Janë shumë të kënaqur me shansin që iu dha për të ndërtuar një jetë të re, por politika e Trump-it që ndalon hyrjen e refugjatëve sirianë, përbën për këta njerëz një burim shqetësimi.

“Vendimet e Trump-it janë të këqija për të gjithë arabët dhe myslimanët. Ai na kategorizon si terroristë, por ne nuk jemi të tillë, jemi qenie njerëzore si ai vetë. Iu larguam shtypjes, prandaj erdhëm këtu. Erdhëm për fëmijët tanë, përpara se për ta të ishte tepër vonë”, tha Abdelkader Badat, refugjat sirian.

Abdelkader ka katër vajza dhe një djalë që jetojnë në Amerikë e kanë paraqitur kërkesën për azil. Por vajza e dytë, Enas, ka mbetur pas në Ankara me shpresën të bashkohet me të tjerët sapo të marrë në dorë dokumentet ende të paplotësuara.

“Shpresa ime e vetme është ta sjell vajzën këtu. Nuk dua asgjë tjetër më shumë në këtë botë, vetëm që ime bijë të vijë e të jetojë afër meje. Por tani, gjasat që kjo të ndodhë janë shumë të vogla”, tha Badat.

Me urdhrin ekzekutiv të Trump-it nuk janë dakord as Bashkimi Europian, e as Kombet e Bashkuara siç u bë e qartë nga deklaratat e shefes së diplomacisë së bllokut Mogherini dhe sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Europa ka detyrën të tregohet e hapur me Shtetet e Bashkuara, sidomos kur vjen fjala tek çështje që kanë të bëjnë me vlerat e përbashkëta themelore, dhe ashtu si shumë amerikanë, nuk pajtohemi me vendimin e marrë nga Donald Trump në 27 janar, deklaroi Mogherini. I drejtpërdrejtë u tregua dhe Guterres.

“Nuk është kjo mënyra më e mirë për të mbrojtur interesat e Shteteve të Bashkuara. E kuptoj që ka shqetësime serioze mbi infiltrimin e mundshëm të terroristëve, por kjo nuk është rruga e duhur. Them se herët a vonë, të tilla masa duhet të shfuqizohen”, u shpreh Antonio Guterres, sekretar i përgjithshëm OKB-së.

Top Channel