Energjia, tenderët elektronikë, do shmangen ofertat me zarf

02/02/2017 00:00

Brenda qershorit tenderët për blerjen e energjisë nga importi do të bëhen vetëm në formë elektronike. Rregullorja e re e Entit Rregullator të Energjisë po diskutohet me grupet e interesit. Sipas OSHEE, do të ngrihet një platformë elektronike, e cila do të shmangë ofertat me zarfe dhe fakse.

Ofertat dhe trajtimi i tyre, si dhe përcaktimi i çmimit më të mirë do të bëhet vetëm në formë elektronike, për të cilën është e nevojshme krijimi i një platforme të integruar. Rregullorja përcakton që jo vetëm OSHEE-ja, por edhe gjeneruesi publik dhe operatori i transmetimit për nevojat e tij, blerjen e energjisë nga tregu i parregulluar do ta kryejnë në formë elektronike”, shprehet Elton Sevrani, drejtori i tregtimit të energjisë, OSHEE.

Për 2016-n, OSHEE ka blerë mbi 40 milionë euro energji dhe synimi është të rritet transparenca dhe marrja e çmimeve më të ulëta të importit.

“Kriteret bazë në këtë platformë janë transparenca dhe informacioni në kohë reale për të gjitha fazat e negocimit për arritjen e çmimit më të ulët për blerjen e energjisë”, tregon Sevrani.

Edhe shpallja e fazave të negocimi të ofertave për importet e energjisë do të bëhet online.

Top Channel