Rama në Prishtinë: Të fshijmë urdhërarrestet e së shkuarës

02/02/2017 00:00

Takimi me zyrtarë të lartë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në selinë e partisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj, ka qenë ai që ngjalli interesin më të madh gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Kosovë.

Gjatë ndalesës atje, kryeministri shqiptar u tha zyrtarëve të AAK-së se, dy qeveritë po punojnë së bashku për të fshirë listat me urdhërarreste që i përkasin së shkuarës.

“Unë uroj dhe besoj që procesi i Ramushit do të ketë përfundimin që ne duam. Nuk është fundi, por fillimi i një pune të përbashkët i dy qeverive, për të fshirë përfundimisht këto lista njerëzish me urdhërarreste të një kohe që i përket të shkuarës, e na shfaqen në këto forma që na kujtojnë se e shkuara është një kërcënim për ne. Ta bëjmë të shkuarën të pakthyeshme”, tha kryeministri Rama.

“Ne bashkërisht kemi qenë të vetëdijshëm për rolin që ka luajtur kryeministri Rama dhe Republika e Shqipërisë jo vetëm në këtë fazë, por në të gjitha fazat e zhvillimit të Kosovës dhe duam ta falenderojmë publikisht për angazhimin që kanë pasur lidhur me situatën e krijuar pas arrestimit të Haradinajt në Francë”, ka thënë nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini.

Më vonë, Rama u prit edhe nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me të cilin diskutoi për qeverisjen lokale, por edhe për çështje të tjera politike që prekin të dyja vendet.

Me këtë rast, Ahmeti i shprehu shqetësimet kryeministrit shqiptar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe incidentet me shtetin serb.

Vizita e Ramës në Kosovë është ndjekur me interes në Serbinë fqinje. Kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç, duket se nuk i ka pëlqyer ndalesa e Ramës në selinë e AAK-së.

“Nëse unë do të kisha shkuar diku në rajon, për të vizituar përfaqësuesit më ekstremë të partive serbe, imagjinoni si do të reagonin Europa e bota”, citohet të ketë thënë Vuçiç nga “B92”. AAK replikoi se ajo është një parti politike e regjistruar në Kosovë e jo në Serbi, dhe se, si shtet i pavarur, Kosova nuk ka pse të pyesë Beogradin sesi të presë kryeminsitrin e një shteti sovran.

Top Channel