OSBE-ja rrëzon mundësinë e votimit elektronik

02/02/2017 00:00

OSBE-ja, nëpërmjet ambasadorit Borchardt, hodhi poshtë në mënyrë kategorike mundësinë që më 18 qershor shqiptarët të votojnë në mënyrë elektronike dhe që vota e tyre të numërohet elektronisht.

“Vërtet besoni se e vetmja mënyrë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme është futja e votimit dhe numërimit elektronik, teknikisht të brishtë? Lexova në lajmet ndërkombëtare se Holanda po i kthehet numërimit të votave me dorë për të ruajtur besimin te zgjedhjet”, u shpreh Borschardt.

Ambasadori Borchardt tha se ODIHR-i nuk është arbitër dhe as garantues për zgjedhje të pastra të lira dhe të ndershme. Përgjegjësia bie mbi politikanët shqiptarë, që, sipas Borchardt, kanë vonuar deri tani përfshirjen në Kodin Zgjedhor të rekomandimve të OSBE/ODIHR-it të paraqitura që nga viti 2013.

Ai dhe ambasadorja e BE, Romana Vlahutin ndanë të njëjtin mendim për depolitizimin e komisioneve zgjedhore, që populli t’u kërkojë llogari krerëve të politikës që të mos përfshijnë më kriminelë në listat e kandidatëve për deputetë, të bëjnë transparencë për fondet financiare që përdorin në fushatë, për të ndëshkuar abuzuesit me votën, për të ndalur kronikat televiziveve të përgatitura nga partitë dhe që transmetohen pa kontroll.

Top Channel