Lufta antiekstremizëm në SHBA, vetëm ndaj Islamit radikal

02/02/2017 00:00

Administrata “Trump” kërkon që të modifikojë dhe riemërojë një program të qeverisë amerikan të krijuar për t’u përballur me të gjitha ideologjitë e dhunshme, duke e fokusuar vetëm mbi ekstremizmin islamik.

Sipas “Reuters”, e cila bazohet në burimet e saj brenda qeverisë amerikane, programi “Ndalimi i ekstremizmit të dhunshëm” mund të ndryshojë dhe të quhet “Ndalimi i ekstremizmit islamik” apo “Ndalimi i ekstremizmit radikal islamik”. Burimet e “Reuteres”, thonë se në një rast të tillë, programi nuk do të shënjestronte më grupe si supremacistët e bardhë që kanë kryer sulme me bomba dhe armë në SHBA.

Një ndryshim i tillë do ët reflektonte retorikën e Trump gjatë fushatës dhe kritikat ndaj Barack Obama-s, që sipas tij u tregua i dobët në luftën kundër Shtetit Islamik dhe sidomos për refuzimin e përdorimit të frazës islami radikal.

Programi aktual ka si qëllim që të ndalojë grupe apo individë që të kryejnë sulme në SHBA përmes partneriteteve me komunitetet dhe programeve edukative. Por ky program, i cili fokusohet mbi rezidentët në SHBA dhe është i ndarë nga përpjekjet ushtarake për të luftuar ekstremizmin online, është kritikuar edhe nga një pjesë e mbështetësve të tij si jo efektiv. Por të tjerë mendojnë se përqendrimit vetëm tek Islami radikal do të izolonte më shumë se 3 milion amerikanë që praktikojnë Islamin paqësisht.

Sipas “Reuters”, Departamenti Amerikan i Sigurisë së Brendshme dhe Shtëpia e Bardhë nuk ju përgjigjën pyetjeve për këtë çështje.

Top Channel