Frikë nga hakerat në Holandë, votat numërohen me dorë

02/02/2017 00:00

Të gjitha votat në zgjedhjet e muajit të ardhshëm në Holandë do të numërohen me dorë për shkak të rrezikut nga sulmet kibernetike.

Kështu vendosi qeveria holandeze, pas raporteve se programet kompjuterike që përdoren për të nxjerrë rezultatet në nivel rajonal dhe kombëtar mund të mos jenë të sigurta.

Agjencitë e inteligjencës kanë paralajmëruar se zgjedhjet e këtij vitit në Francë, Gjermani dhe Holandë mund të jenë të cenueshme nga manipulimet prej aktorëve të jashtëm, përfshirë Rusinë. Holanda do të zhvillojë zgjedhje te përgjithshme më 15 mars, të parat në një vit thelbësor zgjedhor në qendër në BE.

Ministri i Brendshëm i Holandës, Ronald Plasterk tha se për shkak të kërcënimeve të raportuara nuk mund të lejohet asnjë hije dyshimi për zgjedhjet dhe prandaj vendimi i qeverisë është i justifikuar.

“Kemi të dhënat se rusët mund të jenë të interesuar dhe për këtë arsye, për zgjedhjet e ardhshme do të kthehemi pas e do të bazohemi tek lapsi e letra-deklaroi Plasterk. Ai siguroi se procedura e numërimit të votave manualisht nuk do ët zgjasë më shumë se zakonisht. Sipas disa mediave, programi për numërimin e votave u shpërnda në qendrat e votimit rajonale me disqe dhe u instalua në kompjuterë të vjetër të lidhur me internetin që nuk ofrojnë asnjë siguri. Për sa i takon vetë zgjedhjeve, sipas sondazheve në Holandë udhëheq partia anti emigracion dhe anti-BE e Gert Vilders dhe pritet që ajo të fitojë më shumë se 30 vende në parlamentin me 150 deputetë.

Top Channel