Politika për refugjatët, Gjermani-Suedi kundër SHBA

01/02/2017 00:00

Kryeministri suedez Stefan Lofven dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kritikuan vendimin e Shteteve të Bashkuara për t’u ndaluar hyrjen qytetarëve nga 7 vendet me shumicë islamike, duke e cilësuar si anti-islamike.

“Më vjen thellësisht keq që Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar udhëtimet për shtetasit e këtyre 7 vendeve. Ky veprim mund të sjellë gjithçka përveç se mirë”, deklaroi Lofven.

“Lufta ndaj terrorizmit nuk e justifikon veprimin ndaj një grupi personash që aderojnë në një besim të caktuar”, theksoi nga ana tjetër Merkel, duke rikonfirmuar komentet e saj të bëra më herët gjatë javës.

Në bazë të urdhërit ekzekutiv të firmosur të premten nga presidenti Donald Trump, refugjatëve nga e gjithë bota do t’u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara për 120 ditë, ndërsa atyre nga vendet që sipas Uashingtonit përbëjnë rrezik për terrorizëm do t’u duhet të presin 90 ditë.

7 vendet në fjalë janë Iraku, Siria, Irani, Libia, Sudani, Somalia dhe Jemeni. Në total popullësia nga këto vende arrin në 130 milionë banorë.

Ndër të tjera, dy liderët europianë shkëmbyen gjithashtu ide për çështjen e refugjatëve, Brexit dhe të tjera problematika. “Ne kemi nevojë për një legjislacion të harmonizuar dhe që të gjitha vendet e BE-së të ndajnë përgjegjësitë për pritjen e refugjatëve”, vijoi më tej kryeministri suedez.

Nga ana tjetër, shtoi ai, më shumë punë duhet bërë për t’u siguruar që njerëzve të mos u duhet të braktisin vendet e tyre. Në të njëjtat linja, Merkel tha se bashkëpunimi ndërkombëtar është një domosdoshmëri duke parë sfidën aktuale të emigrantëve me të cilën po përballet BE.

Top Channel