Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka zhvilluar takime të veçantë këtë të mërkurë me udhëheqësit e partive politike maqedonase dhe shqiptare si përpjekje për të tejkaluar ngërçin në të cilin është futur vendi pas zgjedhjeve të fundit.

Ai ka pritur në takim Nikoll Gruevskin e VMRO-DPMNE-së, Ali Ahmetin e BDI-së dhe Zoran Zaev të LSDM-së.

Pas këtyre takimeve të ndara, ai ka thënë se do të mandatojë partinë ose grupin e partive që dëshmon se ka shumicën në Parlament për formimin e qeverisë së re.

“Së pari të dëshmohet shumica në përputhje me nenin 90 të Kushtetutës, pastaj mandatimi për formimin e qeverisë së re”, tha ai.

Ivanov u shpreh se në tryezë vazhdojnë të qëndrojnë të gjitha opsionet, përfshirë këtu edhe zgjedhje të tjera nëse asnjëra palë politike nuk siguron shumicën e nevojshme për qeverinë e re.

VMRO-DPMNE fitoi numrin më të madh të mandateve në zgjedhjet e fundit, por bisedimet e Nikolla Gruevskit me BDI-në për vazhdimin e bashkëqeverisjes dështuan dhe afati i ish-kryeministrit përfundoi më 29 janar.

Pas kësaj date vendi është futur në një situatë të paprecedentë, pasi Kushtetuta nuk përcakton qartë nëse mandatohet partia e dytë, në këtë rast LSDM-ja e Zoran Zaev apo vendi shkon në zgjedhje të tjera.

Një ditë më parë Ivanov zhvilloi takime me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Nikolla Ivanovski, për konsultime lidhur me procedurat e mëtejshme se kujt do t’ia japë mandatin.

Top Channel