Zjarrëfikëset në mëshirë të fatit

01/02/2017 00:00

Realiteti që të ofron shërbimi zjarrfikës sot është automjete të amortizuara të viteve ‘60-‘70, mungesë stafi, mungesë sistemi ndërlidhjeje, mungesë uniformash e pajisjesh të ndryshme. Vetë punonjësit për ta mbajtur në këmbë repartet e zjarrfikësve në qytete te ndryshme, kanë kontribuar me para nga paga e tyre.

“Fiks Fare” e ka ndjekur këtë problematikë edhe në institucionet e tjera vendimmarrëse. Aktualisht 38 stacione zjarrfikëse janë transferuar pranë bashkive. Shërbimi i zjarrfikëses dhe shpëtimit, i cili për shumë vite ka qenë në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në vitin 2015 në kuadër të zbatimit të reformës administrative-territoriale dhe Ligjit 139 të 2015 kaloi në varësi të Bashkive, transferimi, i cili u krye në zbatim të urdhrit të kryeministrit me numër 127 i datës 16.9.2015 e la përfundimisht këtë sektor kaq të rëndësishëm në duart e qeverisjes vendore.

Fiks Fare i’u drejtua Agjencisë për Zbatimin e Reformës Territoriale. Kjo e fundit, në një përgjigje për Fiksin, pranon se gjendja e mjeteve dhe pajisjeve te zjarrfikësve në Shqipëri është enë kufijtë minimale të gatishmërisë, pasi këto të fundit janë të amortizuara.

Por kjo agjenci, thekson se ka qenë insistimi i kryetarëve të bashkive që ky shërbim të kalojë në administrim të pushtetit vendor, ndërkohë që për “Fiks Fare” drejtuesit e bashkive dhe të reparteve zjarrfikëse në Lezhë, Laç, Shkodër, Elbasan, Krujë Ballsh etj., tregojnë se nuk kanë fonde për ta menaxhuar këtë shërbim.

Në buxhetin e vitit 2017 është parashikuar vetëm rritja e numrit të punonjësve të zjarrfikës, ndërkohë që shërbimi zjarrfikës sot ka nevojë për investime të menjëhershme në mjete dhe infrastrukturë. Edhe pse gjendja e shërbimit zjarrfikës në Shqipëri është në gjendje të mjerueshme, edhe pse Bashkitë nuk kanë fonde për të përballuar shpenzimet për këtë shërbim, Agjencia për Zbatimin e Reformës Territoriale beson se transferimi i Zjarrfikësve pranë bashkive ishte veprimi i duhur! Por, në realitet, është e kundërta. Këto shërbime janë lënë në mëshirë të fatit.

Top Channel