Vota elektronike, ish-shefja e ODIHR: Nuk ka kohë

01/02/2017 00:00

Vota dixhitale është eksperiment që duhet të testohet së paku 5 muaj para zgjedhjeve dhe vetëm në zona pilot, përpara së të vihet në zbatim.

Në një intervistë për Top Channel, ish-kryetarja e misionit vëzhgues të zgjedhjeve të 2013-s, zonja Conny McCormak e quan të papreçedentë kërkesën e opozitës që për këtë arsye të shtyhet mbajtja e zgjedhjeve.

Top Channel: Zonja McCormak, ju keni qenë shefja e misionit të vëzhguesve të OSBE-ODHIR në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 në Shqipëri dhe tani, si edhe në atë kohe nga opozita e dikurshme, është kërkuar zbatimi i votimit dhe numërimit elektronik të votave. A është e mjaftueshme koha prej 5 muajsh për ta realizuar këtë?

Conny McCormak: Unë mendoj që duhet mjaft kohë që ky proces i ri të konsiderohet për votim. Duhen eksperimentuar më parë projekte pilote, sepse gjëja më e rëndësishme është që të arrihet sukses dhe të kesh sukses në diçka kaq të komplikuar si votimi elektronik juve realisht do t’ju nevojitej kohë më e gjatë.

Top Channel: Pra, ju mendoni se 5 muaj nuk mjaftojnë?

Conny McCormak: Unë nuk dua të detyroj askënd të mendojë si unë, në kuptimin e së drejtës për të vendosur në këtë vend. Nuk është ky roli im. Por unë po e shfaq këtë opinion bazuar në eksperiencat e mia në vendet që e kanë zbatuar votimin elektronik në vite si Brazili, apo India, si dhe në vende si Irlanda, që pasi harxhuan miliona euro duke blerë teknologji iu rikthyen votimit manual. Nëse me parë votimi elektronik zbatohej në formën e projektit pilot në disa zona do të shihej sa i komplikuar është, cilat janë kostot, përfitimet dhe pengesat para se të zbatohej në të gjithë vendin. Ligji juaj përfshin funksionimin e komisioneve zgjedhore me përbërje anëtarë të partive politike, e rëndësishme është që këto komisione të jenë të pavarura, sepse zhvillimi i procesit elektoral është kompleks. Ndaj, përfshirja e teknologjive të reja në momentin e fundit do ta prishte këtë proces. Kështu që faktori kohë është thelbësor.

Top Channel: Nga ajo që po thoni kuptohet se zbatimi i votimit elektronik kërkon më tepër kohë se 5 muaj. A do të ishte zgjidhje shtyrja e zgjedhjeve në mënyrë që votimi elektronik të zbatohej për herë të parë në Shqipëri për të evituar të gjitha kontestimet për rezultatin në të kaluarën?

Conny McCormak: Unë nuk do t’i sugjeroja asnjë vendi të shtynte mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Por këtë nuk më takon mua ta them, i takon qeverisë ta marrë këtë vendim.

Top Channel