Furnizimi me ujë, Veliaj në Bovillë

01/02/2017 00:00

Bashkia e Tiranës ka një plan investimesh për modernizimin e rrjetit të ujësjellësit në qytet. Erion Veliaj tha se këto masa nuk do ta prekin çmimin aktual që qytetarët paguajnë për ujin.

“Një administrim më i mirë i ndërmarrjes e nxori atë me fitim për herë të parë në 25 vjet. Mund të ketë shumë njerëz që thonë nëse jemi me fitim, pse s’kemi ujë 24 orë? Sepse krahasuar me këtë fitim, investimet e kryera nga UKT janë shumëfishuar. Por, besoj se është lajm i mirë që fitimet i përkthejmë në investime, sigurisht duke ruajtur çmimin e ujit që kemi sot”, tha kryebashkiaku Tiranës.

Abuzimet me rrjetin e ujësjellësit përbëjnë ende një problem, por krahasuar me një vit më parë, shifrat e humbjes në rrjet kanë pësuar ulje.

“Fakti se 72% e mallit nuk shkonte te ai që e paguante ishte skandaloz. Sot kemi një përmirësim me 10% të kësaj situate, që është ende shumë pak, por duke ditur se kjo është një punë mikroskopike, ku në çdo shkelje, në çdo stacion, në çdo vjedhje, në çdo çarje, duhet kuruar sikur po qëron orizin dhe të shikosh se si rrjeti kthehet nga një kulluese makaronash ku rrjedh çdo gjë, në një rrjet i cili është aty për ta çuar mallin e paguar në çezmën e atij që e ka paguar”, tha ai.

Sipas Bashkisë së Tiranës, 1/3 e ujit të pijshëm të Bovillës humbet në pjesën e rrjetit të Kamzës dhe Paskuqanit, arsye për të cilën kërkon që institucionet atje të bashkëpunojnë për të eliminuar problemin.

Top Channel