Presidenti fton Manjanin, por të enjten zëvendësohet nga Vasili

01/02/2017 00:00

Top Channel ka zbardhur ftesën që presidenti Bujar Nishani i ka drejtuar anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për mbledhjen që do të mbahet mesditën e së premtes për çështjen Balili.

Ajo që bie në sy në ftesë është lista e personave që janë parashikuar të flasin. Veç kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, ministrit Saimir Tahiri, drejtorit të përgjithshëm të policisë Haki Çako dhe prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla është edhe emri i Ylli Manjanit, në cilësinë e ministrit të Drejtësisë.

Por burime konfidenciale thanë për Top Channel se nuk ka asnjë lapsus në këtë ftesë, pasi sipas Kushtetutës, Ylli Manjani vijon të jetë ende në detyrë si ministër i Drejtësisë, deri në momentin kur Petrit Vasili të votohet nga Parlamenti dhe të betohet në Presidencë.

Etapa këto që mendohet se do të ezaurohen përpara mbledhjes së Këshillit, pasi në rendin e ditës për seancën parlamentare të së enjtes është parashikuar votimi i Petrit Vasilit, ndërsa betimi mund të zhvillohet përpara mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

Por Ylli Manjani gjithësesi vijon ta ketë ftesën për të qenë pjesë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, derisa zyrtarisht ai të mos jetë më ministër.

Top Channel ka mësuar po ashtu se në këtë mbledhje nuk është i ftuar nga presidenti kreu i opozitës Lulzim Basha, i cili nuk është pjesë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, por në raste të veçanta ai është ftuar të jetë pjesë e kësaj tyreze.

Duke u ndalur tek ftesa, presidenti Nishani kërkon që me anë të kësaj mbledhjeje, organet përgjegjëse të informojnë për shkaqet pse është arritur deri këtu, rrezikun që ekziston nga mosveprimi në drejtim të goditjes së krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, bazave të tyre, si dhe masat që do të merren në të ardhmen, duke u fokusuar dhe tek rasti konkret, ai i Klement Balilit.

Top Channel