Tirana mund Kukësin, çerekfinalet nuk japin siguri!

01/02/2017 00:00

Përballjet e para çerekfinale në Kupën e Shqipërisë nuk arritën dot t’i japin avantazhe të mëdha asnjë prej 8 ekipeve të mbetura në garë, pasi 3 prej sfidave u mbyllën me diferencë vetëm një gol, ndërsa tjetra në barazim.

Tirana mundi 2-1 Kukësin në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe shpreson që të paktën me këtë turne, ta kthejë në favor sezonin e saj me oshilacione. Të mbështetur nga vetëm një grusht tifozësh për shkak të polemikave me presidentin, bardheblutë morën avantazhin si për ironi të fatit me djalin e aksionerit kryesor.

Grend Halili i dha epërsinë Tiranës me një gol të bukur, ndërsa Taku krijoi një hendek më komod. Në fraksionin e dytë Kukësi ngushtoi diferencën me Imamin, e pikërisht kjo duket se rivendos kualifikimin në ankand.

Nuk pati fitues në sfidën e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë mes Laçit dhe Skënderbeut pasi 90 minutat mes tyre u mbyllën 1-1. Të dy golat e sfidës u shënuan në pjesën e dytë të ndeshjes. Laçi kaloi në avantazh falë golit të Kanaparit pas pasimit të Nikës dhe u duk se kurbinasit po e fitonin këtë ndeshje.

Por në minutat shtesë, Osmani barazim për Ujqërit e Dëborës, gol i rëndësishëm për kampionët e vendit duke qenë se ndeshjen e kthimit do ta luajnë në Korçë.  Me rezultatin 1-0 fitoi Vllaznia ndaj Teutës në stadiumin “Loro Boriçi”. Një supergol i Tafilit në pjesën e parë u mjaftoi shkodranëve për të marrë avantazhin në këtë përballje të parë të çerekfinaleve.

Fitore surprizë për Besëlidhjen ndaj Flamurtarit me lezhjanët që ndëshkuan ekipin bregdetar me Kamara dhe Marashin. Smajli e prishi disi festën e surprizës së kupës pasi humbi një penallti dhe shkaktoi autogolin që rihap llogaritë.

Top Channel