Kandidati për Supremen në SHBA, demokratët e sulmojnë ashpër

01/02/2017 00:00

Figura kryesore të Partisë Demokratike kanë shprehur kundërshtimin e tyre për emërimin e Neil Gorsuch nga Donald Trump për vendin vakant në gjykatën supreme.

Trump zgjodhi gjykatësin e gjykatës së apeleve në Kolorado për të zëvendësuar të ndjerin Antonin Scalia. Por lideri i demokratëve në Senat Chuck Schumer tha se kishte dyshime serioze për emërimin e Gorsuch.

Në të njëjtin kuadër senatorja e Massachusetts Elizabeth Warren akuzoi të emëruarin se në vendime të mëparshme është bërë palë ndaj kompanive të mëdha në kurriz të punëtorëve amerikanë. Edhe kreu i dhomës së ulët të Kongresit Demokratja Nancy Pelosi u shpreh kundër emërimit të Gorsuch, duke e cilësuar atë si një emërim shumë armiqësor dhe një vendim shumë të keq.

Duke shtuar kritikat, senatori i Vermontit Bernie Sanders, ish-kandidat presidencial, tha se gjykatësi Gorsuch duhet të shpjegojë armiqësinë e tij ndaj të drejtave të grave, mbështetjen për korporatat dhe kundërshtimin ndaj reformës për financimin e fushatës. Sidoqoftë, nëse konfirmohet nga Senati, 49 vjeçari Gorsuch do të rivendosë shumicën konservatorë 5 me 4 në Gjykatën Supreme, shumicë që humbi me vdekjen e Scalias.

Republikanët, ndërkohë, janë shprehur në favor të Gorscuh dhe thanë se do ta aprovojnë emërimin e tij. Sipas senatorit Ted Cruz, demokratët nuk do të kenë sukses që të bllokojnë emërimin edhe përmes një filibusteri, termi teknik që përdoret për të përshkruar një fjalim tejet të gjatë për të vonuar procedurat në legjislativ.

Demokratët i dinë rreziqet e një procedurë të tillë, pasi ata mes tyre që luftojnë të rizgjidhen vitin e ardhshëm në shtete që fitoi Trump, mund të përballen me pasoja politike për bllokimin. Republikanëve i duhen 60 vota për të miratuar emërimin e Trump dhe aktualisht kanë 52 në senatin me 100, gjë që do të thotë se kanë nevojë për votat e 8 demokratëve.

Top Channel