“Rusia”, Henry Kissinger “asi nën mëngë” i Donald Trump

01/02/2017 00:00

Henry Kissinger duket se do të jetë “asi nën mëngë” i Donald Trump në përpjekjen për të normalizuar marrëdhëniet me Rusinë. Ish-sekretari i Shtetit nën presidencën e Richard Nixon dhe Gerald Ford, do të këshillojë shefin aktual të Shtëpisë së Bardhë në bisedimet me Moskën.

Mes Trump dhe Kissinger ka një miqësi të hershme. Presidenti disa herë e ka lëvduar atë për mëndjen e mprehtë në çështjet ndërkombëtare. Kissinger është autori i hapjes me Kinën nën Presidencën Nixon dhe nëse ja del mbanë që të normalizojë marrëdhëniet me Rusinë, do të hynte në histori edhe si njeriu që shmangu një luftë të re të ftohtë.

Megjithatë, brenda vetë administratës së Donald Trump ka shumë skeptikë. Një ndër çështjet e mprehta që pritet të diskutohen mes dy vendeve është situata në Ukrainë dhe pikërisht këtu, skeptikët u druhen “lojërave” të Putinit.

Veç Ukrainës diskutime mund të ketë edhe për Sirinë dhe aktivitetin e NATO-s sidomos në vendet Balltike. Po ashtu, pritet të diskutohet edhe për Ballkanin dhe lajmi i keq për Bosnjen dhe Kosovën në këtë temë është Kissinger, sepse nëse Trump do të vendosë mbi bazën e këshillave të tij, atëherë mund të ketë një rivizatim kufijsh në rajonin tonë.

Ish-kryediplomati amerikan njihet për qëndrimet e mbajtura gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Në vitin 1995 ai propozoi ndarjen e Bosnjes duke e quajtur atë një shtet artificial. Këshilla e tij ishte që serbët t’i bashkoheshin Serbisë, kroatët Kroacisë dhe myslimanët e Bosnjes të formonin një shtet më vete, që do të ishte një entitet i rrethuar nga të gjitha anët.

Sa i takon Kosovës, në vitin 1999 ai ishte kritik i propozimit të NATO-s në Rambuje. Gjatë bisedimeve, Aleanca kërkoi nga pala serbe lejimin e trupave të saj në Kosovë.

“Asnjë serb nuk mund ta pranonte një propozim të tillë. Është një poshtërim!”, deklaronte ai.

Më vonë, ai mbështeti fushatën e bombardimeve jo më shumë për të parandaluar spastrimin etnik të shqiptarëve sesa për të provuar besueshmërinë e NATO-s.

Top Channel