Dështon dëshmia, Shkëlzen Berisha: Faji i Ballës, ka konflikt interesi

01/02/2017 00:00

Shkëlzen Berisha është paraqitur pasditen e së mërkurës për të dëshmuar në komisionin hetimor parlamentar për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit tek kompania çeke CEZ.

Teksa i është kërkuar të tregojë gjeneralitetet e tij dhe të bëjë betimin, i biri i ish-kryeministrit Berisha ka refuzuar me argumentin se kryetari i komisionit, Taulant Balla është dënuar nga gjykata për shpifje në dëm të tij.

Qëndrimi i tij ka shkaktuar reagimin e kryetarit Balla dhe të deputetëve të tjerë anëtarë të komisionit.

Taulant Balla: Zoti dëshmitar, thoni gjeneralitetet…

Shkëlzen Berisha: Gjeneralitetet e mia i ke në gjykatë, tek padia që ke bërë.

Taulant Balla: Zoti dëshmitar, betohuni.

Shkëlzen Berisha: Betimi nuk bëhet kur je dënuar për shpifje.

Taulant Balla: Nëse ti nuk bën betimin, dëshmia nuk ka vlerë.

Arben Ristani: Nëse jeni të interesuar për dëshmi, as neve as zotërisë nuk na intereson nëse ajo është e vlefshme apo jo. Ju intereson vetëm juve, sepse nuk e kemi kërkuar neve. Kërkesa juaj për dëshminë e tij është e pabazuar në prova ligjore. Zotëria ka një problem personal ndaj kryetarit të komisionit. Ka një vendim gjykate që ju ka dënuar, pra ka një konflikt interesi. Duhet të krijoni kushtet që ta merrni dëshminë, nëse bëni teatër pastaj…

Taulant Balla: Dëshmitari të largohet dhe të bindet se dëshmia jepet dhe ka vlerë pasi bëhet betimi.

Më pas Balla ka njoftuar përfundimin e seancës, duke shtuar se, Shkëlzen Berisha do të thirret një herë tjetër për t’iu përgjigjur pyetjeve.

Ndërkohë, në një prononcim për mediat në përfundim të mbledhjes, Shkëlzen Berisha ka sqaruar qëndrimin e tij për të refuzuar betimin para kryetarit të komisionit.

“Personi që drejton komsionin është dënuar nga Gjykata e Apelit të Tiranës për shpifje ndaj meje dhe madje refuzon të zbatojë vendimin. Atëherë, përse duhet që, me gjithë deputetët që ka Parlamenti, ky komision të drejtohet nga ky deputet?”, ka thënë Berisha.

Ai ka fajësuar pikërisht kryetarin Balla për dështimin e dëshmisë. “Ai nuk pranoi t’ia linte vendin një deputeti tjetër dhe dëshmia dështoi”, ka thënë i biri i ish-kryeministrit.

Më tej ai ka mohuar lidhjet me Nuel Kalaj dhe persona të tjerë, që sipas tij janë vetëm supozime të pambështetura në prova.

“Unë as me zotin Kalaj, as me zotin Ismaili nuk kam asnjë lidhje. Nuk kam lidhje as me aktivitetet e tyre, as me komisionin hetimor. Unë nuk di çfarë provash ka administruar ky komision. Unë vetë e kam bërë deklaratën publike”, ka shtuar Shkëlzen Berisha.

Ndërsa Balla, në daljen e tij për mediat ka deklaruar se, tek Shkëlzen Berisha është arritur pas kontrollit të lëvizjeve të sekserit Nuel Kalaj, i cili sipas tij tërhoqi paratë e transaksionit bankar nga Praga në Shqipëri.

“Personi që po hetojmë është Nuel Kalaj, një person që siç konfirmohet nga email-e të marra në rrugë zyrtare ka pasur lidhje të forta me figurat qeveritare të asaj kohe, përfshirë ish-kryeministrin. Aty përmendet edhe kontakti i tij me Shkëlzen Berishën dhe do të ishte mirë të merrej edhe dëshmia e këtij të fundit”, ka thënë Balla.

Sipas tij, komisioni gjendet në një situatë aspak të mirë dhe do të gabonte nëse do të procedonte me marrjen e dëshmisë pa betimin e dëshmitarit.

“Për fat të keq, tre dëshmitarët kyç nuk paraqiten në komision. Kalaj nuk u paraqit. Sali Berisha dha një dëshmi të pavlefshme, sepse nuk ka bërë betimin dhe Shkëlzen Berisha nuk pranon të bëjë betimin. Unë mendoj se këta të tre kanë një dakordësi për të pamundësuar furnizimin e komisionit me informacion”, ka vijuar Balla.

Megjithatë, ai ka theksuar se, komisioni do të insistojë për marrjen e dëshmisë së tyre, sepse ato janë pjesë shumë e rëndësishme e hetimit.

“Vepra e krimit janë paratë. Kemi gjetur ryshfetin, kemi gjetur emrin e sekserit dhe duhet të gjejmë ku ka çuar paratë”, ka shtuar Balla.

Ndërsa deputeti i PS, Ulsi Manja ka hedhur poshtë pretendimet e Shkëlzen Berishës për konflikt interesi të kryetarit Balla. “Nuk kemi asnjë konflikt interesi dhe ne do të këmbëngulim fortë për marrjen e dëshmisë pas betimit”, ka thënë Manja.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel