Izrael, dhunë mes banorëve e policisë në koloninë e paautorizuar Amona

01/02/2017 00:00

Policia izraelite dhe banorë protestues janë përplasur me njëri-tjetrin teksa forcat e rendit janë përpjekur të evakuojnë një vendbanim të paautorizuar në tokën e pushtuar të Bregut Perëndimor.

Gjykata Supreme e Izraelit kishte vendosur se Amona duhej shembur, sepse ishte ngritur në një tokë private palestineze. Por qindra aktivistë hodhën gurë dhe u përplasën me oficerët e policisë, teksa këta të fundit përpiqeshin të zbatonin urdhrin e gjykatës.

Vetëm pak orë më parë, qeveria izraelite miratoi planet për të ndërtuar 3.000 shtëpi të reja në kolonitë e Bregut Perëndimor. Ky është njoftimi i tretë që prej betimit të presidentit amerikan Donald Trump, 12 ditë më parë, i cili ka theksuar gjatë fushatës se do të ishte më favorizues ndaj blloqeve të banimit, krahasuar me paraardhësin e tij Obama.

Një zyrtar palestinez, Hanan Ashraëi dënoi miratimin e fundit dhe paralajmëroi se mundësitë për paqe tashmë po shkatërrohen. Më shumë se 600 mijë hebrenj jetojnë në rreth 140 blloqe banimi të ndërtuara që prej pushtimit në vitin 1967 të Bregut Perëndimor dhe Jeruzalemit Lindor nga izraelitët.

Veç tyre ka edhe 95 blloqe banimi të ndërtuara pa autorizim zyrtar nga qeveria izraelite përreth Bregut Perëndimor. E ndodhur në një kodër të lartë, pranë vendbanimeve të Ofras, në verilindje të Ramallahut, Amona u ndërtua në vitin 1996 në një tokë të regjistruar private nga palestinezët.

Në vitin 2006, pas një vendimi të Gjykatës Supreme të Izraelit, 9 struktura të përhershme në këtë zonë u rrënuan, duke shkaktuar përplasje të dhunshme mes banorëve dhe forcave të sigurisë. Në dhjetor të vitit 2014, gjykata urdhëroi qeverinë izraelite të rrënonte tërësisht Amonën brenda dy viteve. Por afati përfundimtar është zgjatur deri më 8 shkurt.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel