Osmani shpëton Skënderbeun në Laç, Vllaznia fiton ndaj Teutës

01/02/2017 00:00

Janë luajtur dy ndeshjet e para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë ditën e sotme, ku Vllaznia ka hedhur një hap të rëndësishëm për kualifikim, teksa ka mposhtur minimalisht Teutën në “Loro Boriçi”. Ndërsa Skënderbeu është shpëtuar në minutat e shtesës nga Osmani ndaj vendasve të Laçit që kishin shënuar më herët.

Edhe pse nuk u ngritën asnjëherë mbi nivelin mesatar, të besuarit e trajnerit Armando Cungut arritën të mposhtnin Teutën në ndeshjen e parë. Autori i golit të vetëm të këtij takimi ishte Alsid Tafili, që me një goditje fluturimthi ndëshkoi skuadrën e Maganit që nuk arriti të shënonte në Shkodër, duke e vështirësuar misionin e kualifikimit.

Ndërkohë, Skënderbeu arriti të barazonte vetëm në minutën e dytë të shtesës ndaj Laçit, të cilët gjetën golin e avantazhit në minutën e 70. Pavarësisht këtyre dy rezultateve, sfidat e kthimit për këto çifte do të jenë vendimtare, pasi gjithçka mbetet e hapur për kualifikimin për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.

Në orën 17:00 nisin edhe dy sfidat e tjera çerekfinale, ku Flamurtari pret Beslidhjen e Lezhës, ndërsa Tirana do të ndeshet në “Selman Stërmasi” Kukësin.

Top Channel