Skënderbeu, kampion edhe me tifozë

01/02/2017 00:00

Skënderbeu është kampion i futbollit shqiptar edhe sa i përket tifozërisë. Gjashtë herë radhazi kampionët e Shqipërisë, ndoshta nuk janë në tre vendet e para sa i përket trofeve, por i kanë mjaftuar sukseset e këtyre viteve për të qenë në krye të klasifikimit të skuadrave me më shumë ndjekës.

Top Channel ka mundur të sigurojë të dhënat zyrtare të numrit të tifozëve të pranishëm në çdo ndeshje. Me mbi 330.000 tifozë, korçarët kryesojnë klasifikimin e 4 viteve të fundit, duke fituar duelin me emrat e mëdhenj të historisë së futbollit shqiptar si Tirana apo Partizani.

Shifër e konsiderueshme, duke kujtuar që bëhet fjalë për një skuadër tifozët e së cilës gjithmonë paguajnë për ta parë ekipin e tyre dhe një e ardhur prej mbi 60 milionë lekësh në këto katër vite, ndikon ndjeshëm në arkat edhe të një klubi me shumë shpenzime si Skënderbeu.

Ndërkohë, Partizani i rikthyer ne Superiore me pretendimet në çdo vit për titullin kampion, gjendet në vendin e dytë sa i përket tifozëve që e kanë ndjekur në këto 4 vitet e fundit.

Mbi 320 mijë janë mbështetësit e skuadrës së kuqe që pavarësisht mungesës së trofeve, me sa duket i kanë mjaftuar fitoret e derbit për të mbajtur entuziazmin dhe që i ka shtyrë të kontribuojnë gjithashtu me mbi 55 milionë lekësh.

Në vendin e tretë të këtij klasifikimi është tifozëria e Tiranës, më spektakolarja edhe njëkohësisht kapricozja e Superiores.

Me një shifër shumë të përafërt me Partizanin, por me disa ndeshje të dënuara pa tifozë, bardheblutë renditen në vendin e tretë në klasifikimin e skuadrave me më shumë ndjekës. Edhe kontributi i tyre, nisur nga shifrat nuk është i pakët në arkat e klubit, por shpesh marrëdhëniet dhe rezultatet e munguara në vazhdimësi kanë sjellë kontradikta mes skuadrës dhe tifozërisë, e cila jo rrallë herë ka zgjedhur bojkotin ashtu si ka bërë tani edhe pse pas dy fazave të para të këtij viti bardheblutë janë skuadra më e ndjekur se Skënderbeu dhe Partizani.

Ndërkohë, varfëria dhe mungesa e interesit detyron shumë skuadra që ta lënë të lirë hyrjen nëpër stadiume, siç ndodh shpesh me Kukësin kryesues dhe sigurisht me skuadrat e fundit të renditjes të cilët në mungesë të rezultateve i joshin mbështetësit me hyrjen falas.

Top Channel