Birësimi i fëmijëve, të huajt kujdesen për fëmijët me probleme shëndetësore

01/02/2017 00:00

Shqiptarët i braktisin fëmijët me probleme shëndetësore, ndërsa të huajt i birësojnë. Shtetasit që birësojnë më shumë fëmijë shqiptarë janë gjermanët, francezët, amerikanët dhe italianët. Po cilët janë ata, të cilët birësojnë fëmijë shqiptarë, pavarësisht se janë të sëmurë?

“Kemi 17 raste birësimi nga të huajt. Pjesa më e madhe e birësimeve janë bërë nga shtetasit amerikanë. Të gjithë birësimet kategorizojnë fëmijë të birësuar që kanë probleme shëndetësore. Ka pasur 14 fëmijë të tillë, dy prej të cilëve kanë pasur HIV-AIDS”, tha Genci Terpo, kryetari i Komitetit të Birësimeve.

Sipas kreut të Komitetit të Birësimeve, ajo që mbizotëron mbi gjithçka është fëmija, garantimi i të drejtave të tyre. Pra, gjetja e një familje për fëmijën, jo e anasjellta, pasi në një pjesë jo të vogël të rasteve, çiftet e interesuara për të birësuar fëmijë kanë edhe kërkesa specifike.

“Shqiptarët nuk pranojnë të birësojnë fëmijë në një moshë të rritur. Ata janë të prirur për të birësuar vajza. Sa më të prirura të jenë çiftet për të pranuar menjëherë birësimin e një fëmije, paçka gjinisë, aq më e thjeshtë është për ta për të përballuar edhe procesin e pritjes”, tha më tej Genci Terpo.

Në vitin 2016 janë braktisur 34 fëmijë, më pak se vitet e kaluara, për pasojë edhe numri i birësimeve ka qenë më i vogël. Për të birësuar një fëmijë duhet të paguash parà, tarifë që nga shteti në shtet është e ndryshme.

“Një çift shqiptar paguan 20 mijë lekë të reja në arkën e buxhetit të shtetit. Ata që vijnë nga vende jashtë Bashkimit Europian kanë një pagesë prej 1.000 dollarësh, ndërsa shtetasit që vijnë nga një shtet i Europës paguajnë 700 euro”, tha Genci Terpo.

Top Channel