Dëmet nga dimri, Rrapaj: Ra cilësia e prodhimeve dhe dalja e shpejtë në treg

01/02/2017 00:00

Moti i keq me temperatura ekstreme dhe ngrica duket se ka kaluar për të gjithë, përveç fermerëve. Këshilli i Agrobiznesit thotë se pasojat e ditëve të ftohta të janarit kanë goditur prodhimin bujqësor në dy pika të forta, cilësi dhe afatin kohor të daljes në treg.

“Pasojat janë afatgjata, një pjesë e tyre u është ulur cilësia, një pjesë e mirë e produkteve që do të dilnin në pranverë nuk do të dalin në kohën e duhur, pra hershmëria që ishte një ndër avantazhet tona me këto ngrica që kaluam do të dëmtohet, kjo do të vazhdojë me pasojën e mosdaljes në kohë për eksport”, tha Agim Rrapaj, Këshilli Shqiptar i Agrobiznesit

Ndërsa për fermerët kjo situatë i ka dhënë tashmë pasojat financiare, për ekonominë sipas Këshillit të Agrobiznesit do të japë efektet e saj në muajin prill, kur prodhimi duhet të dilte në treg. Zgjidhja afatgjatë e propozuar nga këshilli për këto raste është përdorimi i fondit të garancisë për të nxitur sigurimin e prodhimit bujqësor.

“Fondi i Garancisë të përdoret edhe për sigurimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, për sigurimin e fermave në tërësi të produkteve të eksportit, ky fond në bashkëpunim me shoqëritë e sigurimit mund të ulë prodhimin, mund të ulë riskun”, shprehet Rrapaj.

Vetëm në zonën e Leshnjes, sipas Drejtorisë së Bujqësisë, janë dëmtuar rreth 70 % e produktit të gatshëm të perimeve në sera, rreth 350 ha perime në fushë. Kjo ka çuar edhe në një rritje të çmimeve në treg gjatë këtyre ditëve.

Top Channel