Greqi, paketë solidariteti 750 mln euro për të varfërit. Përfitojnë edhe shqiptarët

01/02/2017 00:00

Rreth një vit pasi ishte aplikuar si program pilot në 30 bashki të Greqisë, prej datës 1 Shkurt ka filluar aplikimi për Kompensimin Social të Solidaritetit, një masë ndihme për të gjithë qytetarët që jetojnë në kushtet e varfërisë, të cilën mund ta përfitojnë edhe emigrantët shqiptarë.

Si kusht kryesor për ta është qëndrimi i ligjshëm dhe i vazhdueshëm në Greqi, ndërsa kriteret ekonomike përfshijnë, midis të tjerash, ato familje me dy persona që prej 1 korrikut të vitit 2016 deklarojnë të ardhura deri në 1.200 euro, ato me 3 pjesëtarë deri në 1.800 euro, ato me 4 pjesëtarë deri në 2.100 euro etj.

Gjithashtu, vlera e pasurisë së paluajtshme në Greqi apo jashtë saj, si shtëpi, toka apo makina, nuk duhet të tejkalojë shifrën prej 90 mijë eurosh, shumë tek e cila shtohen 15 mijë euro për çdo pjesëtar, deri në kufirin e 150 mijë eurove.

Progami që ka një vlerë prej 750 milionë eurosh dhe do t’iu jepet rreth 750 mijë qytetarëve të varfër do t’u paguhet përfituesve në shumat e mëposhtme: Për familjet me një pjesëtar 200 euro në muaj, shumë që shtohet me 100 euro për çdo pjesëtar të rritur dhe me 50 euro për çdo fëmijë të mitur.

Përveç shumës në parà, të cilën mund ta përfitojnë shumë emigrantë shqiptarë të goditur nga kriza greke në 7 vitet e fundit, mund të përfitojnë edhe trajtim shëndetësor falas, përfshirje në programet e kujdesit dhe mbështetjes sociale, si dhe fatura të rimbursuara për energjinë elektrike, ujin dhe shërbimet bashkiake.

Aplikimet vazhdojnë deri në fund të këtij muaji, ndërsa pagesa e parë do të jepet në fillim të muajit mars.

Top Channel