E ardhmja e Reus, ende te Borussia Dortmund

01/02/2017 00:00

Marko Reus nuk do të largohet nga Borussia Dortmund. Ai që e konfirmon lajmin është Drejtori Sportiv i klubit gjerman, Michael Zorc duke shuar zërat që e shihnin futbollistin në Premier League angleze tek skuadra e Arsenalit.

Sipas medias gjermane, “topçinjtë” e Londrës e kishin vënë në shënjestër Reus me të cilin synonin të zëvendësonin Alexis Sanchez duke parë ngurrimin e kilianit për të rinovuar dhe për këtë arsye ishin gati të shpenzonin 60 milionë euro për të.

Por Zorc e bëri të qartë se asgjë nga sa është publikuar së fundmi në lidhje me të ardhmen e Reus nuk është e vërtetë.

“Nuk do të humbas kohë me përgënjeshtrimin e lajmeve të pabaza”, tha Zorc për të përditshmen Bild. “Nuk di asgjë në lidhje me një largim të mundshëm të Reus”.

Marko Reus u bë pjesë e Borussia Dortmund në verën e vitit 2012 kur u transferua nga Monchengladbach. Që nga ai moment ai ka qenë një futbollist i rëndësishëm për verdhezinjtë dhe një idhull për tifozët në “Signal Iduna Park”. Kontrata aktuale e Reus me Borussia Dortmund skadon në verën e vitit 2019.

Top Channel