Kreu i OSHEE në Shkodër, Çela: Qytetarët të ankimojnë faturimet

01/02/2017 00:00

Kreu i OSHEE-së u prit në Shkodër nga qytetarë të pakënaqur me faturimin e energjisë elektrike. Por për administratorin Ardian Çela, numri i qytetarëve shkodranë që depozitojnë një ankesë pranë OSHEE-së është i ulët. Kreu i operatorit u kërkoi gazetarëve të mos e amplifikojnë situatën.

“Në katër muajt e fundit në Shkodër kemi 2.600 ankesa për keqfaturime nga 70 mijë abonentë që ka gjithë rrethi dhe i bie të jetë një shifër e vogël e konsumatorëve. Dëgjova që paska edhe që nuk janë ankimuar. I bëj thirrje të ankimojnë. Nuk do të tolerohet asnjë punonjës që shkel ligjin. Ndërkohë që është në proces ankesa, nuk paguan as kamatë e as nuk të ndërpritet energjia”, deklaroi Çela.

Administratori u kujtoi qytetarëve që mund të bëjnë ankesat e tyre edhe online, prej ku mund të ndjekin vazhdimin e procedurës së ankesës. Niveli i humbjeve në vitin 2016 në Shkodër ra në 42% nga 62% që ishte në 2013-n. OSHEE ka planifikuar investime në rrjet që kapin shifrën e 17 milionë dollarëve.

Top Channel