NBA, San Antonio ndëshkon Oklahomën

01/02/2017 00:00

San Antonio Spurs e harroi menjëherë disfatën në derbin teksan me Dallasin, duke ia nxjerrë të gjithë inatin Oklahomës. Skuadra teksane iu imponua “ City Thunder” në “AT&T Center”, duke e mposhtur me rezultatin 108-94.

Të besuarit e Gregg Popovich shkëlqyen në periodën e katërt, kur e vendosën ndeshjen në drejtimin e dëshiruar për të regjistruar fitoren e 37 sezonale. Për Oklahomën, 27 pikët dhe 14 asistet e Russell Westbrook nuk mjaftuan për të kaluar “Spurs”.

Shumë e lehtë ishte ndeshja për Houston Rockets. Në “Toyota Center”, teksanët thyen Sacramento Kings 105-83. Ryan Anderson ishte më i miri për Houston, me 25 pikë, ndërsa Rockets kanë tashmë në bilancin e tyre 36 fitore e 16 humbje, duke u konfirmuar si forca e tretë e Konferencës së Perëndimit në NBA.

Në ndeshjet e tjera, Denver humbi në çastet e fundit ndaj LA Lakers 116-120, Portland mundi Charlotte 115-98, Washingtoni mposhti New York 117-101, ndërsa Toronto fitoi me New Orleans 108-106.

Top Channel