Rama-Meta, pjesa e dytë, ulen së bashku një ditë pas “71”

01/02/2017 12:00

Sikur nuk ka ndodhur asgjë. Kështu përshkruajnë burimet, takimin e të mërkurës mes dy krerëve të mazhorancës së majtë. E vetmja ngjashmëri me takimin e të hënës: kohëzgjatja. Sërish 45 minuta, por ndryshe nga 45 minutëshi i të hënës që u dominua nga çështja “Manjani”, pjesa e dytë Rama-Meta, duket se mbaroi në një barazim të bardhë zero me zero.

Kryesia e Kuvendit dhe zyra e Ilir Metës ka qenë pika takimit mes dy bashkëkryetarëve të koalicionit qeverisës. Pas takimit të së hënës, kur Rama dhe Metën u dakordësuan për shkarkimin e ministrit të drejtësisë Ylli Manjani, Edi Rama u rikthye sërish në zyrën e partnerit të tij në qeveri, për të biseduar kokë më kokë për 45 minuta.

Por para kryeministrit, nga zyra e kryetarit Meta, doli Lefter Koka. Ky ishte takimi i parë mes tyre pas deklaratave të forta të ministrit durrsak, me akuza të drejtpërdrejta për policinë e shtetit dhe krerët e saj sikurse edhe kundërshtisë së hapur për vijimësinë e koalicionit PS-LSI.

Takimi erdhi pas replikave dhe llogaritjes së numrave që dy selitë e partive bënë përgjatë 24 orëve të fundit në qëndrimet e tyre pas shkarkimit dhe “bombave” të Manjanit. Në selinë e kryesisë ishte edhe Petrit Vasili, ministri i emëruar i Drejtësisë dhe një nga deputetët kritikë të LSI-së, Vangjel Tavo, i cili u rreshtua të shtunën e kaluar në krah të Kokës me akuzat për policinë dhe kanabizimin e vendit.

Por në fund nuk ndodhi asgjë. Si për ta përforcuar këtë, e vetmja replikë ndaj Lefter Kokës dhe akuzave të tij erdhi nga këneta e Durrësit, aty ku gjendej ministri socialist i shndërruar në “target” të LSI-së. Por kësaj radhe Tahiri heshti. Foli vetëm Vangjush Dako.

“Janë qytetarët që na vlerësojnë për punën tonë dhe nuk merremi me fjalë, por me punë. Përgjigja jonë për çdo akuzë që bie është t’i shërbejmë qytetarëve, të cilët e japin përgjigjen e tyre ditën e zgjedhjeve”, tha Dako.

Një fitore të vogël, megjithëse në mungesë, arriti sërish Ylli Manjani. Ende i pashkarkuar nga Parlamenti, ai ishte ndoshta shkaku që të mërkurën Edi Rama, nuk thirri mbledhjen e qeverisë.

Top Channel