Trump “takohet” me Pena Nieton, si statuja dylli

01/02/2017 00:00

Donald Trump nuk i shtrëngoi duart me homologun e tij meksikan Enrique Pena Nieto, sepse takimi u anulua prej murit kufitar, të kthyer në “mollë sherri” mes dy vendeve.

Por në muzeun e figurave prej dylli të çelur në Mexico City, ata qëndrojnë duke buzëqeshur në krah të njëri-tjetrit, reminishencë e vizitës kontroverse të miliarderit gjatë muajit gusht në Meksikë.

“E ndiej se ata duhet të nisin e ta hedhin vështrimin te kjo lloj marrëdhënieje e re në të ardhmen. Duhet të takohen e të diskutojnë për marrëveshje të reja, sepse në fund të fundit jemi vende të civilizuara, e si të tilla duhet ta gjejmë rrugën e negociatave, apo jo”, tha Cesar Urbano, menaxher i muzeut.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës morën një goditje javën e kaluar, kur Trump tha se Pena Nieto duhej ta anulonte udhëtimin e planifikuar në Uashington, nëse nuk ishte gati të paguante për ndërtimin e murit.

Kreu i shtetit meksikan iu përgjigj menjëherë duke pezulluar takimin, por më vonë, dy udhëheqësit komunikuan në telefon e ranë dakord që për momentin të mos e prekin më çështjen e një ndjeshmërie të lartë për të dyja palët.

Top Channel