Marine Le Pen refuzon t’i kthejë PE-së paratë e shpërdoruara

01/02/2017 00:00

Afati i vendosur Marine Le Penit nga Parlamenti Europian, për kthimin e 300 mijë eurove të çuara dëm prej saj, skadoi mesnatën e së martës. Por udhëheqësja e ekstremit të djathtë në Francë duket se nuk ka ndërmend t’i kthejë ato parà.

PE-ja thotë se Le Pen i keqpërdori fondet në fjalë dhe se, në periudhën e viteve 2011-2012 i ka shfrytëzuar ato për të paguar pjesëtare të stafit partiak, në një kohë kur – sipas rregullores, – fondet duhej t’i shkonin vetëm asistentëve të ligjvënësve për detyra legjislative.

Le Pen këmbëngul se është viktimë e një hakmarrjeje të motivuar politikisht. Nëse nuk e shlyen shumën në fjalë, atëherë do t’i mbahet gjysma e rrogës si europarlamentare, e kështu pagesa e saj do t’i reduktohet në 3.000 euro në muaj, ndërsa mund të humbasë edhe përfitime të tjera.

Pesë ligjvënës të Frontit Nacional në PE, përfshirë këtu dhe vet babain e Marine, Jean-Marie Le Pen, janë përballur në të kaluarën me reduktim të pagës për shpërdorim fondesh.

Le Peni është një prej kandidateve kryesore për zgjedhjet presidenciale në Francë, të cilat zhvillohen me raunde në muajt prill dhe maj. Sondazhet tregojnë se ajo do të arrijë në balotazh, ku do të përballet me konservatorin François Fillon, ose me kandidatin e qendrës Emmanuel Macron.

Top Channel