Dako: Koka përgjigjen do ta marrë në zgjedhjet e qershorit

01/02/2017 11:15

Në çeljen e Zyrës së re të Gjendjes Civile për 43 mijë banorët e zonës së Kënetës në Durrës, kryetari i bashkisë Vangjush Dako, në prani të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i është drejtuar në distancë ministrit të Mjedisit, Lefter Koka se përgjigjen për akuzat e tij do ta marrë në zgjedhjet e qershorit.

“Nuk merrem me llafe, por me punët e qytetit. Përgjigjja jonë për çdo akuzë është me punë dhe përgjigjen më të mirë do e marrin në 18 qershor. Ne jemi në shërbim të qytetarëve dhe u shërbejmë dhe do t’u shërbejmë atyre për sa kohë kanë vendosur të na e besojnë ne”, tha Dako.
 
Javën e kaluar, ministri Koka, paraardhës i Dakos në postin e kryetarit të Bashkisë Durrës, e akuzoi kryebashkiakun aktual për arrogancë dhe keqmenaxhim të pushtetit dhe fondeve që nuk adresohen në nevojat parësore të qytetit.
 
Ndërkaq, edhe ministri Saimir Tahiri deklaroi se kjo qeveri është e bindur t’i dedikohet punës dhe jo fjalëve e deklaratave televizive.
 
“Jemi në Durrësin e ri që po shndërrohet i tillë falë investimeve në infrastrukturë. Me kthimin e kësaj zone në njësi administrative qeveria e kaluar duhet të kishte ofruar dhe shërbimin e gjendjes civile. Kjo është qeveria që lamë pas.. Sot mbi 40 mijë qytetarë I kanë shërbimet këtu. Kjo është mbase e pamjaftueshme, pasi kemi nevojë për të bërë më shumë po e nisim me këtë dhe kemi nevojë për besimin tuaj për të vazhduar e investuar më tej. Jemi të bindur t’i dedikohemi punës dhe jo llafeve”, u shpreh Tahiri.

Top Channel